Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Ndodh edhe kjo në Superiore, portieri i Bylisit braktis fushën në mes të ndeshjes

Jeremy Vachoux

Një situatë e pazakontë është regjistruar në Kategorinë Superiore të Shqipërisë, ku portieri francez i Bylisit, Jeremy Vachoux, vendosi të braktisë fushën e lojës në minutën e 42-të të ndeshjes ndaj Vorës.

Veprimi i rrallë ndodhi në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, e vlefshme për javën e 18-të të kampionatit elitar shqiptar, në momentin kur Vora po udhëhiqte me rezultat 2:0.

Vachoux u largua nga fusha në shenjë proteste, duke hequr edhe fanellën. Për këtë veprim, gjyqtari kryesor i takimit, Ermir Çelaj, e ndëshkoi portierin 31-vjeçar me karton të verdhë.

Largimi i papritur i francezit e gjeti të papërgatitur zëvendësuesin e tij, Renato Beqaj, i cili u detyrua të aktivizohej pa u nxehur mjaftueshëm.

VIDEO (Pamja kur portieri del nga fusha)

Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Bylisit, Mirel Josa, tentoi ta minimizojë situatën, duke deklaruar se portieri kishte kërkuar ndërrim për shkak të një lëndimi.

Edhe Gabimi i radhës në Zvicër i portierit të Shqipërisë Futboll Gabimi i radhës në Zvicër i portierit të Shqipërisë

“Portieri Vachoux? Kjo nuk do të thotë asgjë. Portieri kërkoi ndërrim për arsye dëmtimi. Duke qenë se ishte fundi i pjesës së parë, vendosëm të shohim gjendjen e tij për vazhdimin e ndeshjes”, u shpreh Josa.

Në fund, Bylisi u mposht thellë me rezultat 4:1. Skuadra nga Ballshi renditet aktualisht në vendin e tetë me 18 pikë, ndërsa Vora gjendet një pozitë më lart në tabelë, me 19 pikë.