Ajo që Vincent Kompany, Xabi Alonso, Mikel Arteta dhe Luis Enrique kanë të përbashkët është se të gjithë kanë punuar me Pep Guardiolan.
Një gjë tjetër të përbashkët këta katër trajnerë e kanë se me ekipet e tyre, janë lider aktualisht në ligat evropiane të futbollit.
Kompany është trajner i Bayern Munichut në Bundesligë. Kompany ka qenë njëri prej mbrojtësve më të mirë në kohën kur Guardiola ishte trajner i Manchester Cityt prej vitit 2016 deri në vitin 2019. Kompany ishte kapiten i ekipit dhe bashkë e fituan Premier Leaguen dy herë, Kupën FA një herë, Kupën e Ligës dy herë dhe trofeun “Community Shield”, një herë.
Alonso tani është trajner i Real Madridit, por ka pasur rastin të mësojë nga Guardiola. Nga viti 2014 deri në vitin 2016, ish-mesfushori spanjoll e pati Guardiolan trajner te Bayern Munichu, ku i fitoi dy tituj dhe Kupën e Gjermanisë.
Alonso si trajner ka fituar Bundesligën pa asnjë humbje dhe triumfoi në Kupën e Gjermanisë. Humbi nga Atalanta 3:0 në finale të Ligës së Evropës. Tani me madrilenët e kryeson La Ligan.
Rast i njëjtë është edhe me Mikel Artetan. Arteta nuk ishte futbollist i Guardiolas, por asistent i tij prej vitit 2016 deri në vitin 2019 te Manchester City. Arteta e kryeson me Arsenalin elitën e futbollit anglez.
Arteta e ka përshkruar Guardiolan se është “larg trajneri më i mirë në botë”.
Emri i katërt i këtij grupi të trajnerëve është Luis Enrique. Luis Enrique e Pep Guardiola ishin bashkëlojtarë për kohë të gjatë. Të dy kanë fituar dy La Liga, dy Kupa të Mbretit, një Superkupë të Spanjës, Kupën e Fituesve të Kupave dhe Superkupën e UEFA-s.
Luis Enrique tani është trajner i Paris Saint-Germainit. E udhëhoqi klubin francez drejt tripletës historike. PSG-ja është lidere në elitën e futbollit francez.