Selektori i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka thënë se ekipi i tij ende po mundohet të zvogëlojë diferencën me top-përfaqësueset e botës. Gjermania u mposht 2:0 nga Franca të dielën, në ndeshjen për vendin e tretë në Ligën e Kombeve.
Por Nagelsmann ka thënë se po ndërtojnë diçka të veçantë. Ai ka parë përmirësime në ekip, në krahasim me humbjen 2:1 nga Portugalia në gjysmëfinale.
“Nëse paraqitemi si në këtë ndeshje dhe nuk bëjmë hap prapa ndaj ekipeve në kualifikimet e Kupës së Botës, atëherë shpresoj se do të marshojmë drejt Botërorit dhe do të përgatitemi mirë”, ka thënë Nagelsmann.
“Natyrisht, ende nuk jemi në nivelin ku duam të jemi dhe ende qëndrojmë prapa top-përfaqësueseve botërore. Mund të arrijmë këtë për një apo dy vjet dhe të kompensojmë atë që nuk shkoi si duhet në vitet e fundit. Megjithatë ndiej diçka në të gjithë grupin, si te lojtarët ashtu edhe te stafi, diçka të veçantë. Ka një prekje të veçantë dhe shumë potencial për të shfaqur”, ka shtuar selektori gjerman.