Futboll

Muriqi vetëkritik edhe pas golit të 50-të në La Liga

Vedat Muriqi

Vedat Muriqi nuk ka të ndalur këtë edicion. Tashmë i ka plot 16 gola për Mallorcan në kampionatin spanjoll. Megjithatë, shpesh golat e tij nuk po shndërrohen në pikë për Mallorcan. Kështu ndodhi edhe të dielën mbrëma.

Ylli i Kosovës shënoi gol të bukur me goditje me kokë, por Mallorca pësoi 2:1 në shtëpi nga Betisi.

Kjo ka bërë që 31-vjeçari të mos jetë i kënaqur. Madje prizrenasi ishte vetëkritik.

"Që nga fillimi është dukur se i kemi nën kontrollë. Ajo që dhemb më së shumti është se e kemi ditur se çka do të bëjnë dhe rivalët sërish shënuan dy gola. I gjithë ekipi duhet fajësuar, duke më përfshirë edhe mua. Duhet të mbrohemi nga sulmuesi deri te portieri. Këtu kemi dështuar, por kemi luftuar shumë dhe kemi dominuar ndaj kundërshtarit. Duhet të vazhdojmë para", ka thënë Muriqi, shkruan sajti zyrtar i Mallorcas.

Shifrën e 16 golave ai e ka arritur në 23 ndeshje. 

Ky është edicioni më i mirë i Muriqit në karrierë. Në të gjitha renditjet është prej lojtarëve më të mirë dhe më të frytshëm në La Liga.

Në dy edicionet e kaluara i kishte nga shtatë gola. 15 gola i kishte realizuar në edicionin 2022/2023.
Pesë gola i kishte në pjesën e dytë të kampionatit 2021/2022.

Te Rizespori dhe Giresunspori në Turqi i kishte nga 17 gola për edicion.

Por golat në La Liga janë shumë më të vlefshëm, kurse edhe shifra e 17 golave pritet të bie shpejt me ecurinë aktuale të sulmuesit të fuqishëm.

Mallorca ka rënë në vendin e 18-të, që dërgon në kategorinë e dytë spanjolle. Në 24 ndeshje i ka 24 pikë.

"Fokusohem në gjëra pozitive. Ekipi dha çdo gjë, në çdo top e çdo aksion. Kemi ndërtuar nga prapa dhe kemi provuar më të mirën. Dua t'i falënderoj tifozët, gjithë mbështetësit e Mallorcas. E di që është vështirë, por kërkoj të jenë të durueshëm. Duam të dalim nga kjo sa më shpejt të jetë e mundur", ka theksuar Muriqi.

Ai nuk fokusohet shumë në gjendjen në tabelë.

"Duhet të merremi vetëm me ndeshjen e radhës. Tani e kemi ndeshjen me Celtan dhe do të provojmë të marrim një pikë atje. Një pikë atje do të ishte mirë. Jemi të fortë në shtëpi dhe luajmë ndryshe.

Duhet të vazhdojmë të shtyjmë përpara me gjithë forcën", ka thënë Vedat Muriqi.

Ai tani i ka 50 gola në La Liga. I është afruar rekordit të Mallorcas për më së shumti gola në La Liga, të cilin e mban Samuel Eto'o me 54.