Futboll

Milanit i refuzohet oferta për Jasharin, kuqezinjtë i kthehen Xhakës

xhaka

Drejtori ekzekutiv i Club Brugge, Bob Madou, ka pranuar se ka zhvilluar bisedime me Milanin për mesfushorin shqiptar, Ardon Jashari.

Por ai ka theksuar se ofertat që kanë pranuar nuk kanë qenë në përputhje me kërkesat për ta liruar Jasharin.

“Ne jemi ulur me Milanin për mirësjellje dhe pa diskutuar për aspektin financiar”, ka thënë Madou për mediumet belge, raporton “Football-Italia”. “Nuk them se nuk do të bëjmë përjashtime, por tani për tani asnjë ofertë në tavolinë nuk më bën të mendoj për lirimin e tij. Po fillojmë nga supozimet se ai do të qëndrojë”, ka thënë Madou.

Edhe drejtori sportiv i klubit belg, Devy Rigaux, ka theksuar se Jashari mund të lirohet vetëm nëse pranojnë ofertë të favorshme.

“Nëse vjen koha kur një lojtar ka arritur vërtet në fund të një cikli dhe një klub i nivelit të lartë bën një ofertë të përshtatshme, atëherë transferimi mund të ndodhë. Nëse Jashari qëndron këtu edhe për një vit, nuk do të jetë vetëm Milani por disa klube të nivelit të lartë që do ta kërkojnë”.

Jashari 22-vjeçar shënoi katër gola dhe asistoi gjashtë herë në 52 paraqitje në të gjitha garat për Club Bruggen në sezonin 2024/2025.

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, të hënën në konferencë për shtyp tha se Jashari dëshiron të luajë për Milanin. Kishte bërë të ditur se kanë bërë ofertë për Jasharin dhe shpresojnë që marrëveshja të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Mund t’ju them se djali dëshiron të luajë për ne, por ne duhet të respektojmë dinamikën dhe zgjedhjet e Brugget. Ne besojmë se kemi bërë ofertën e duhur dhe shpresoj që kjo histori të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme”, kishte thënë Tare të hënën.

Më herët është raportuar se Milani ka bërë ofertë prej 35 milionë eurosh që t’i sigurojë shërbimet e Jasharit.

22-vjeçari Jashari iu bashkua Club Brugget në verën e vitit të kaluar nga Luzerni për 6 milionë euro. Me klubin belg ka kontratë deri në vitin 2029.

Milani tashmë ka transferuar Samuele Riccin, ndërsa klubit kuqezi shpejtë pritet t’i bashkohet edhe Luka Modriq.

Të enjten është raportuar se Milani ka kthyer interesimin për transferimin e mesfushorit të Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka.

“Milani kthehet për Granit Xhakën? Marrëveshja për Ardon Jasharin nuk arrihet”, është titulli i mediumit të madh “goal.com”.

Për kapitenin e Zvicrës, Xhakën, së fundi në garë ka hyrë edhe skuadra tjetër e madhe italiane, Juventus.