Futboll

Mësohet se kush do ta drejtojë “El Clasicon”

Real Madrid - Barcelona

Foto: Associated Press

Edhe pse ende zyrtarisht nuk është caktuar se kush do ta ndajë drejtësinë në klasiken e zjarrtë ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit, “Mundo Deportivo”ka raportuar se Alejandro Hernandez Hernandez do të jetë arbitri kryesor. Në VAR do të jetë Martinez Munuera. 

Barça të dielën nga ora 16:15 e pret Realin në ndeshjen që është e vlefshme për javën e 35-të të La Ligas. Aktualisht lidere është Barcelona me 79 pikë. Katër pikë më pak i ka Reali në vendin e dytë. Klasikja mund ta përcaktojë edhe fituesin e titullit të kampionit në La Liga.

Hernandez ka gjykuar në dy ndeshje të Barcelonës këtë edicion. 

Për 42-vjeçarin do të jetë hera e katërt në karrierë që do ta gjykojë derbin më të madh të futbollit spanjoll. 

Ai vlerësohet prej arbitrave më të mirë në Spanjë. Hernandez Hernandez ka drejtuar ndeshje edhe në Ligën e Kampionëve, në Ligën e Evropës, e po ashtu në Ligën e Kombeve.