Arb Manaj ishte i vëmendshëm në zonë nër minutën e 74-t, për fitoren e madhe të kampiones së Kosovës në futboll. Drita e Gjilanit të martën mbrëma në “Fadil Vokrri” në Prishtinë fitoi 1:0 ndaj kampionit të Luksemburgut, Differdange. Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Luksemburg.

Por në Luksemburg gjilanasit do të udhëtojnë në pozitë goxha të mirë për të siguruar avancimin në raundin e dytë kualifikues të Championsit.

Video:

Në mesin e pjesës së dytë, Drita realizoi një aksion nga krahu i majtë, që në fillim nuk dukej i rrezikshëm. Topi erdhi në zonë te Salifu Ibrahim që e përcolli atë te Manaj. Sulmuesi i fuqishëm ia doli ta shtyjë në portë për 1:0.

Shifrat më nuk ndryshuan.

Video | Goli i Manajt: 

 

Drita vlerësohej favorite ndaj Differdanges dhe këtë e dëshmoi me dominim në fushë. Por dominimi nuk mjaftoi për krijim të rasteve të shumta.

Sidomos në pjesën e parë rastet kanë munguar thuajse në tërësi. Gjilanasit krijuan vetëm disa gjysmëraste, por pa rrezikuar seriozisht portën e kundërshtarit. Ndërkohë Differdange rrezikoi vetëm një herë.

Pjesa e dytë ishte më e gjallë. Dhe goli erdhi pas ndryshimeve në përbërje të bëra nga Zekirija Ramadani.

Me të nisur pjesa e dytë Liridon Balaj i kishte dy tentime, kurse i pari ishte goxha i rrezikshëm. Në minutën e 63-të rrezikoi Veton Tusha, ndërsa pas golit të epërsisë, Dritën e shpëtoi portieri Faton Maloku. Ai bëri pritje vendimtare.

Differdange në fakt i krijoi tri raste për barazim të rezultatit, por pa ia dalë të konkretizojë.

Fare në fund rast të mirë për Dritën lëshoi Salifu Ibrahim, që nuk ishte i saktë.

Ndeshja në YouTube:

Manaj flet pasi shënoi golin vendimtar për Dritën

3 d. më parë / 8 kor 2025 22:14
Arb Manaj

FOTO: Nikollë Quni

Arb Manaj ka thënë se kanë qenë të vetëdijshëm për kualitetet e Differdanges.

Manaj shënoi golin e vetëm në fitoren e Dritës 1:0 ndaj kampionit të Luksemburgut në “Fadil Vokrri”. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave.

“Gol i rëndësishëm, duke ditur rëndësinë e ndeshjes. E kam përcjellë Differdangen edhe në të kaluarën. Ka pasur superparaqitje në edicionet e kaluara. E kemi ditur se do të jetë vështirë, është ekip që luan me pesë mbrojtës. Jam i lumtur që kam shënuar gol për të ndihmuar ekipin. Ky ekip nuk e ka pësuar asnjë gol si vendas dhe ishte e vështirë. Po të shënonim për 2:0 do të ishte shumë më e lehtë”, ka thënë ai.

Faton Maloku: Duhet të luftojmë maksimalisht dhe të kualifikohemi

3 d. më parë / 8 kor 2025 22:12
Faton Maloku

Faton Maloku

Portieri i Dritës, Faton Maloku, ka thënë se skuadra duhet të luftojë maksimalisht ndeshjen e kthimit për t’u kualifikuar javën e ardhshme.

Drita mposhti 1:0 Differdange. Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. 

“Ishte e vështirë. Nuk është e lehtë të mposhtësh kampionin e një shteti. Kundërshtari luajti mirë taktikisht. Jemi munduar të zbatojmë atë që kemi ushtruar, por duke u bazuar në lojën tonë. Edhe si mysafir do të jetë më e vështirë. Por tani e njohim kundërshtarin dhe mund ta analizojmë më mirë. Duhet të luftojmë maksimalisht dhe të kalojmë tutje”, ka thënë Maloku.

VIDEO:

Ramadani: Jam i kënaqur me fitoren 1:0

3 d. më parë / 8 kor 2025 22:09
Zekirija Ramadani

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është shprehur i kënaqur me fitoren 1:0 ndaj Differdange në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

VIDEO

Drita fitoi me golin e Arb Manajt në minutën e 74-t. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Luksemburg.

Deklarata e Ramadanit:

“Rezultati është pozitiv. Goli erdhi me vështirësi. Kundërshtari u pa që ka disiplinë taktike. Nuk është rastësisht ekipi i vetëm në botë që nuk ka pësuar asnjë gol në ndeshjet në shtëpi.

Ndeshja e parë, si për ne si për ata dhe presioni ishte në anën tonë. Por e pamë që kishim përballë një kundërshtar cilësor.

Jam i kënaqur me këtë rezultat dhe tani e kemi më të lehtë pasi mund ta analizojmë ndeshjen. Mund t’i përmirësojmë gabimet që i kemi bërë.

Duhet të luftojmë më tepër se sonte. I kuptoj lojtarët që mund të jetë vështirë. Por duhet të luftojmë më tepër, të vrapojmë më tepër. Goli i shënuar mund të na ndihmoi të krijojmë hapësirë në mbrojtjen e kundërshtarit në ndeshjen e kthimit. Mund të jetë goli i kualifikimit”.

Drita në epërsi

3 d. më parë / 8 kor 2025 21:34
Drita

Drita ka kaluar në epërsi në ndeshjen ndaj Differdanges.

Për 1:0 shënoi Arb Manaj në minutën e 74-t.

VIDEO:

Një orë lojë, Drita po e rrit presionin

3 d. më parë / 8 kor 2025 21:21
Drita

Drita po e rrit presionin ndaj portës së Differdanges.

Por pas një ore loje rezultati mbetet 0:0.

Liridon Balaj kishte rastin më të mirë deri më tani. Ai goditi fare pranë portës në minutën e 53-të. Tjetër rast Balaj kishte në minutën e 55-të.

Në pjesën e parë kampionia kosovare i kishte disa gjysmëraste.

Nuk ka gola në pjesën e parë të ndeshjes Drita – Differdange

3 d. më parë / 8 kor 2025 20:48
Drita - Differdange

Drita - Differdange / FOTO: Nikollë Quni

Ndonëse ka dominuar, Drita nuk ia doli të shënoi gol në pjesën e parë të ndeshjes ndaj kampionit të Luksemburgut, Differdange.

Në ndeshjen në “Fadil Vokrri” nuk ka pasur as raste konkrete për shënim.

Skuadra gjilanase ishte dukshëm më e mirë në fushë, por rezultati vazhdon të jetë 0:0.

Shikuesit e shumtë në stadiumin në Prishtinë shpresojnë në gola për pjesën e dytë.

20 minuta lojë, Drita dominon por pa gola të shënuar

3 d. më parë / 8 kor 2025 20:20
Drita – Differdange

FOTO: Nikollë Quni

Kanë kaluar 20 minuta lojë në ndeshjen Drita – Differdange. Kampionia e Kosovës është duke dominuar në fushë. Gjilanasit kanë krijuar disa gjysmëraste, por pa rrezikuar seriozisht portën kundërshtare.

Rezultati mbetet 0:0.

LIVE - YouTube:

Edhe Foda i pranishëm në “Fadil Vokrri”

3 d. më parë / 8 kor 2025 19:54
Franco Foda

Edhe trajneri i Kosovës, Franco Foda, është i pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku Drita pritet të luajë me Differdangin, kampionin e Luksemburgut, në raundin e parë kualifikues.

Foda është shpesh i pranishëm në ndeshjet e klubeve të Kosovës.

Së fundmi, 59-vjeçari gjerman refuzoi një ofertë të majme nga Arabia për të qëndruar në Kosovë.

Ndeshja transmetohet live në KTV nga ora 20:00 dhe YouTube

Drita publikon formacionin

3 d. më parë / 8 kor 2025 18:53
Drita

Drita ka publikuar formacionin për ndeshjen ndaj Differdanges, që zhvillohet nga ora 20:00.

Trajneri Zekirija Ramadani ka vendosur për sistem ofanziv, ndërsa në krye të sulmit janë Arb Manaj e Blerim Krasniqi. Pas tyre janë Almir Ajzeraj e Liridon Balaj, ndërsa mesfusha përbëhet nga Albert Dabiqaj e Vesel Limaj.

Egzon Bejtullai e Juan Camilo Mesa janë në qendër të mbrojtjes, ndërsa në krah Besnik Krasniqi e Raddy Ovouka. Porta do të ruhet nga Faton Maloku.

Ndeshja në “Fadil Vokrri” është e para e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Transmetohet direkt në KTV, ndërsa komentohet nga Dilaver Polisi.