Drita e Gjilanit ka arritur sukses historik të martën mbrëma. Drita është bërë skuadra e parë kosovare që është kualifikuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Skuadrat kosovare në kualifikimet e Championsit paraqiten nga edicioni 2017/18, por asnjëra prej tyre nuk kishte arritur në raundin e dytë kualifikues.
Kampionia në fuqi, Drita, në raundin e parë kualifikues e eliminoi kampionin e Luksemburgut, Differdange. Pas fitores 1:0 në “Fadil Vokrri” javën e kaluar, Drita kualifikimin e siguroi të martën mbrëma në Luksemburg. Ndeshjen e kthimit Drita e fitoi 3:2.
Arb Manaj, që kishte shënuar golin e fitores në Prishtinë, shkëlqeu edhe në Luksemburg.
Ai shënoi për 1:0 që në minutën e katërt. Pas një sulmi të gjatë, që u sigurua pas luftës së madhe për top të gjilanasve, Manaj shënoi me goditje nga zona. I njëjti lojtar e shënoi edhe golin për 2:0 në minutën e 17-të. Një aksion i gjatë i Dritës u pasua nga një tollovi në zonë, ndërsa Manaj ishte i vëmendshëm duke shënuar për 2:0.
Vendasit reaguan dhe ngushtuan rezultatin në 2:1 në minutën e 28-të. Theo Brusco ishte realizator.
Me rezultatin 2:1 në të mirë të Dritës përfundoi pjesa e parë.
Fundi i ndeshjes ishte dramatik.
Differdange shënoi për 2:2 në minutën e 89-të. Samir Hadji shënoi nga pika e bardhë. Ndërkohë golin e fitores 3:2 për Dritën e shënoi Veton Tusha në minutën e 93-të. Ai realizoi pas një kundërsulmi për festën e madhe.
Drita kishte përkrahje të madhe të shqiptarëve në stadium. Festa e shikuesve pasionantë ishte e mahnitshme pas ndeshjes.
Ndonëse mysafire, Drita i krijoi plot dhjetë raste, sa i kishte edhe skuadra vendase. Goditje në kornizë të portës, Differdange i kishte pesë e Drita katër.
Gjithë lojtarët e Dritës dhanë kontribut në suksesin e madh, ndërsa me pritje vendimtare u dallua edhe portieri me përvojë, Faton Maloku.
Drita në raundin e dytë kualifikues të Championsit përballet me kampionin danez, Copenhagenin. Ndeshjet janë më 22 dhe 29 korrik.
Trepça ’89, Drita, Feronikeli, Prishtina e Ballkani nuk ia kishin dalë deri tani të kalojnë në raundin e dytë kualifikues të Championsit.
Drita pas suksesit historik: Në një mbrëmje të paharrueshme në Differdange
Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, ka shkruar pas suksesit historik.
Drita me fitoren 3:2 ndaj Differdanget të martën mbrëma, siguroi kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Deri tash, asnjë skuadër nga Kosova nuk e kishte kaluar raundin e parë kualifikues të Championsit.
“Në një mbrëmje të paharrueshme në Differdange, kur historia u shkrua me shkronja të arta, nuk ishin vetëm 11 lojtarë në fushë – ishit edhe Ju, tifozët tanë të zjarrtë, që udhëtuat nga çdo cep i Evropës për të qenë pranë nesh! Entuziazmi dhe dashuria që sollët në stadium na dhanë forcën për ta bërë realitet këtë ëndërr – kalimin në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve! Faleminderit për çdo kilometër të përshkuar, për çdo britmë për DRITËN, për çdo emocion të ndarë me ne. Ky sukses është edhe i juaji! FORCA DRITA – për qytetin, për klubin, për Kosovën!”, shkruan Drita në facebook.
Drita në raundin e dytë kualifikues të Championsit përballet me kampionin danez, Copenhagenin.
Ndeshjet janë më 22 dhe 29 korrik.
Çka shkruan Copenhageni për ndeshjet me Dritën?
Kampionia e Kosovës, Drita, do të përballet me gjigantin danez, Copenhagen, në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Copenhageni menjëherë ka shkruar për përballjet me Dritën.
“Kjo është hera e parë që përballemi me një ekip nga Kosova. Do të shikojmë me kujdes kampionin nacional, FC Drita, ndërsa i qasemi ndeshjes së parë. Do të fillojmë në ‘Parken’, më 22 korrik nga ora 19:00. Ndeshjen e kthimit e luajmë në ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, më 29 korrik. Koha nuk është caktuar ende”, ka shkruar gjiganti danez.
Te Copenhageni nuk presin të kenë telashe për të siguruar bileta për tifozët danezë për ndeshjen në Prishtinë.
Drita kthen epërsinë, golin e shënon Tusha
Drita ka kthyer shpejtë epërsinë ndaj Differdange 03.
Golin për 3:2 e shënoi Veton Tusha në minutën e 93-të.
Differdange barazon rezultatin
Differdange 03 ka barazuar rezultatin në 2:2 ndaj Dritës. Golin e barazimit 2:2 për ekipin nga Luksemburgu e shënoi Samir Hadji.
Ai shënoi nga penalltia në minutën e 89-të të ndeshjes kthyese të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Drita e ka fituar 1:0 ndeshjen e parë.
Drita krijon rast të mirë nëpërmjet Balajt
Drita e ka nisur mirë pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Differdange 03.
Në minutën e 56-të rast pati Liridon Balaj.
Drita me epërsi 2:1 pas pjesës së parë
Sulmuesi Arb Manaj shënoi dy gola për Dritën, e cila e mbylli pjesën e parë me epërsi 2:1 kundër Differdange 03, në kuadër të ndeshjes kthyese të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Manaj golin e parë e shënoi në minutën e 4-t me asistim të Liridon Balajt. Golin për 2:0, Manaj e shënoi në minutën e 17-të.
Futbollistët e kampiones së Kosovës në futboll, Dritës, kishin edhe disa mundësi. Por në momentin e saj më të mirë, Drita pësoi gol. Golin për Differdange 03 e shënoi Theo Brusco. Ai realizoi golin për 2:1 në minutën e 28-të.
Kampioni i Luksemburgut në fund të pjesës së parë pati edhe disa mundësi. Por vendimtar me ndërhyrjet e tij ishte portieri i Dritës, Faton Maloku. Maloku edhe në Prishtinë kishte disa ndërhyrje vendimtare në fitoren 1:0 javën e kaluar. Golin për 1:0 e kishte shënuar Manaj, realizatori i dy golave të Dritës në pjesën e parë të ndeshjes kthyese.
Maloku me ndërhyrje vendimtare
Portieri i Dritës, Faton Maloku, ka bërë dy ndërhyrje vendimtare në minutat 41 dhe 42. Ai grushtoi dy herë topin duke mos lejuar të shkoj në këmbët e lojtarëve të Differdanget.
Maloku edhe në Prishtinë kishte disa ndërhyrje vendimtare.
Drita pëson gol
Drita kishte dominimin në fushë, por Differdange 03 shënoi gol.
Golin për 2:1 e shënoi Theo Brusco në minutën e 28-të.
Drita në kërkim të golit të tretë
Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, është duke krijuar të tjera raste shënimi kundër Differdange 03.
Drita është duke fituar 2:0 me golat e sulmuesit Arb Manaj në minutën e 4-t dhe 17-të.
Por Drita nuk po ndalet. Po kërkon shënimin e golit të tretë.
Drita në epërsi 2:0, Manaj shënon edhe golin e dytë
Sulmuesi Arb Manaj ka shënuar sërish gol. Golin e epërsisë 2:0, Manaj e shënoi në minutën e 17-të.
Ai shfrytëzoi një gabim të portierit kundërshtar.
Drita fitoi edhe ndeshjen e parë 1:0 me golin e Manajt dhe është pranë kualifikim në rundin e dytë.
Flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë shfaqen në Differdange
Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, ka përkrahjen e disa shikuesve në ndeshjen kundër Differdange.
Kjo ndeshje ka nisur në orën 20:00.
Është ndeshja kthyese e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Prishtina e fitoi ndeshjen e parë në Prishtinë 1:0 me golin e Arb Manajt.
Drita kalon në epërsi, shënon sërish Manaj
Drita ka kaluar në epërsi ndaj Differdange 03.
Sulmuesi Arb Manaj shënoi golin e epërsisë 1:0 në minutën e 4-t. Manaj shënoi pas asistimit të Liridon Balajt.
Kthehet kapiteni Broja, Manaj udhëheq sulmin
Kapiteni Rron Broja do të paraqitet nga minuta e parë për Dritën në ndeshjen kthyese kundër Differdange 03. Ndeshja Differdange – Drita luhet sonte nga ora 20:00. Është ndeshja kthyese e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Drita fitoi 1:0 pa Brojën në Prishtinë javën e kaluar. Por kthimi i tij vlerësohet i rëndësishëm për kampionen e Kosovës në futboll.
Në sulm sërish do të paraqitet Arb Manaj. Sulmuesi Manaj shënoi golin e fitores për Dritën në “Fadil Vokrri”.
