Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kujt iu drejtua Spalletti me fjalët “shumë prej jush do të largoheni”?

Spalletti

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, nuk është në disponim të mirë dhe ka ngritur zërin gjatë stërvitjes së zhvilluar të enjten.

Kampi stërvitor i Juventusit ka filluar dhjetë ditë më parë, por tensioni është tashmë i dukshëm. 
Shpërtimi i trajnerit tregon se puna po shkon me ritëm të ngadaltë te “Zonja e Vjetër” në disa pozita.
Spalletti nuk është i kënaqur me situatën aktuale të skuadrës dhe ai ishte shumë i ashpër me disa lojtarë të pranishëm në seancën stërvitore.

“Djem ndryshoni ritmin. Unë do të qëndrojë këtu, por shumë prej jush do të largoheni”, janë fjalët e Spallettit gjatë stërvitjes, raporton “La Gazzetta dello Sport” të enjten.
Juventusi aktualisht po zhvillon përgatitjet me numër të kufizuar të lojtarëve. Juventusit po i mungojnë disa lojtarë që ende janë në fazë të rikuperimit shkaku lëndimeve dhe disa të tjerë që kanë qenë pjesëmarrës në Kupën e Botës kanë nisur pushimet.

“Football-Italia” shkruan se një numër i madh lojtarësh nuk janë pjesë e planeve të Spallettit për edicionin 2026/27, përfshirë lojtarë si Di Gregorio, Joao Mario, Edon Zhegrova, Lois Openda dhe Arkadiusz Milik. 

“Raporti i së enjtes pohon se klubi ende ka besim të plotë te drejtori ekzekutiv Giovanni Carnevali, i cili po fillon të veprojë me më shumë urgjencë, por Spalletti po fillon të frustrohet me mungesën e veprimeve si për sa i përket mbërritjeve ashtu edhe largimeve të lojtarëve”, shkruan “Football-Italia”.

Zhegrova iu bashkua Juventusit vitin e kaluar nga klubi francez, Lille. Por në edicionin e kaluar, Zhegrova nuk pati shumë hapësirë te Juve.
Zhegrova për Kosovën ka shënuar pesë gola në 46 ndeshje.