Elvis Rexhbeçaj do të jetë mungesa e radhës për Përfaqësuesen e Kosovës për ndeshjen ndaj Suedisë.
Federata e Futbollist e Kosovës ka njoftuar të dielën se Rexhbeçaj është liruar nga grumbullimi pasi nuk ka arritur që të rikuperohet me kohë.
Mesfushori 27-vjeçar i Augsburgut u lëndua të premten në barazimin pa gola të Kosovës ndaj Sllovenisë. Ai luajti deri në minutën e 50-të por u zëvendësua për shkak të një lëndimi në shpinë.
“Dardanët” të hënën nga ora 20:45 përballen me Suedinë në Goteborg, në ndeshjen tjetër të rëndësishme të Grupit B kualifikues.
“Seanca e fundit u mbajt sot në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku përzgjedhësi Franco Foda punoi kryesisht në aspektin taktik, duke provuar detajet e lojës me të cilën synon të paraqitet në këtë sfidë. Stërvitja ishte pa ngarkesa të mëdha fizike, ndërsa atmosfera brenda grupit mbetet mjaft pozitive dhe futbollistët janë maksimalisht të motivuar. Nga grumbullimi është liruar Elvis Rexhbeçaj, i cili nuk arriti të rikuperohet plotësisht nga lëndimi i pësuar në ndeshjen kundër Sllovenisë”, shkruhet në njoftimin e FFK-së.
Kosovës ndaj Suedisë do t’i mungojnë edhe Fidan Aliti dhe Lumbardh Dellova.
Aliti mungon për shkak të suspendimit kurse Dellova nuk është i gatshëm plotësisht, shkaku i një lëndimi. Dellova nuk luajti as ndaj Sllovenisë.