Futboll

Kosovës i mungojnë edhe Aliti e Dellova ndaj Suedisë

Kosova

Pas pikës së fituar ndaj Sllovenisë të premten mbrëma në “Fadil Vokrri” në kualifikimet e Botërorit 2026, Kosova ka nisur menjëherë përgatitjet për duelin e së hënës ndaj Suedisë, por pa dy futbollistë tjerë të rëndësishëm.

Të shtunën, Federata e Futbollit e Kosovës ka konfirmuar mungesën e Fidan Alitit dhe Lumbardh Dellovës.

Aliti nuk do të luajë ndaj Suedisë shkaku i suspendimit me kartonë të verdhë, ndërsa Dellova nuk është i gatshëm plotësisht, shkaku i një lëndimi. Dellova nuk luajti as ndaj Sllovenisë.

Aliti të premten mbrëma u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 48-të, ndërsa e kompletoi ndeshjen.

“Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për sfidën e radhës ndaj Suedisë. Pjesa e futbollistëve që luajtën ndaj Sllovenisë kanë kryer rigjenerim në hotel, ndërsa të tjerët kanë zhvilluar seancë stërvitore në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Nga grumbullimi janë liruar Fidan Aliti, për shkak të pezullimit me kartonë, si dhe Lumbardh Dellova, i cili nuk ka arritur të rikuperohet plotësisht nga lëndimi. Dardanët do ta zhvillojnë nesër paradite stërvitjen e fundit para ndeshjes me Suedinë dhe më pas udhëtojnë drejt Goteborgut”, ka shkruar FFK-ja të shtunën. 

FFK-ja nuk ka njoftuar për gjendjen e Elvis Rexhbeçajt. Mesfushori 27-vjeçar i Augsburgut ndaj sllovenëve luajti deri në minutën e 50-të. Por, u zëvendësua për shkak të një lëndimi në shpinë.

Kosova të hënën nga ora 20:45 përballet me Suedinë, me ndeshjen tjetër të rëndësishme të Grupit B kualifikues.

Zvicra është e para pas tri ndeshjeve në grup me nëntë pikë. Kosova e dyta ka katër pikë, ndërsa Sllovenia e treta ka dy pikë.

E fundit është Suedia me një pikë.