Futboll

Kosova me Rexhbeçajn e shumë sulmues në ndeshjet ndaj Rumanisë e Qipros

Lista

Elvis Rexhbeçaj pritet ta udhëheq mesfushën e Kosovës në ndeshjen ndaj Rumanisë, me të cilën fillon cikli i ri i Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Ashtu si pritej, mesfushori Rexhbeçaj ka zënë vend në listën e selektorit Franco Foda për ndeshjet me Rumaninë dhe Qipron.

Rexhbeçaj, 26-vjeçar, javë më parë pranoi që të jetë pjesë e Kosovës. Ai luan me sukses për Augsburgun në Bundesligën e Gjermanisë. Deri më tani nuk ka luajtur për ndonjë përfaqësuese.

Selektori Foda ka ftuar edhe dy lojtarë të rinj për ndeshjet e shtatorit. Në listën e Kosovës janë përfshirë Fisnik Asllani e Eliot Bujupi. Të dy janë sulmues. Asllani luan për Elversbergun në Bundesliga 2, ndërsa talenti Bujupi është pjesë e ekipit U19 të Stuttgartit. Tashmë i ka shënuar tetë gola dhe ka katër asistime në pesë paraqitje për të rinjtë e klubit gjerman.

Asllani e Bujupi ka pak gjasa që të zënë vend në ekipin startues të Kosovës, për dallim nga Rexhbeçaj. Vedat Muriqi është lider i padiskutueshëm i sulmit, ndërsa edhe Albion Rrahmani vlerësohet shumë lart.

Sulmues tjetër i ftuar te Kosova është Astrit Selmani. Ai është kthyer pas një kohe të gjatë.

Derisa për sulm konkurrenca vlerësohet shumë e madhe, për pjesën qendrore të mesfushës vazhdon të ketë më pak lojtarë në dispozicion.

Pos Rexhbeçajt prej mesfushorëve qendrorë janë ftuar edhe Valon Berisha, që luan më i avancuar, dhe Lindon Emërllahu. Ndërkohë për pozitat e sulmuesve të krahut do të konkurrojnë Edon Zhegrova, Milot Rashica, Florent Muslija, Ermal Krasniqi e Emir Sahiti. Sahiti është kthyer po ashtu pas një periudhe te Kosova. 

Zhegrova e Rashica po kalojnë formë të lartë dhe janë pretendentët kryesorë për të startuar në krahët e sulmit.

Prej mbrojtësve, gjermani Foda ka ftuar kapitenin Amir Rrahmani si dhe Mërgim Vojvodën, Mirlind Kryeziun, Florent Hadërgjonajn, Ilir Krasniqin, Donat Rrudhanin, Lumbardh Dellovën, Fidan Alitin e Leart Paqaradën.

Në portë i pakontestuar është Arijanet Muriq, ndërsa pos tij ftesë morën edhe Visar Bekaj e Ilir Avdyli.
Gjithsej Foda i ka ftuar 25 futbollistë. Janë edhe disa në listën rezervë.

Grumbullimi i Kosovës fillon të hënën, kur është stërvitja e parë. Të premten e ardhshme, përfaqësuesja luan ndaj Rumanisë në “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e parë të Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Më 9 shtator “Dardanët” luajnë ndaj Qipros në Larnaca.

Në grup është edhe Lituania, me të cilën Kosova përballet fillimisht më 12 tetor në Vilnius.
Nën drejtimin e Fodas, Kosova fitoi 1:0 ndaj Armenisë dhe humbi 2:0 nga Hungaria. Këto dy ndeshje ishin miqësore dhe u zhvilluan në mars. Më 5 qershor në Oslo, Kosova humbi 3:0 nga Norvegjia, po ashtu në miqësore. Dhe tani është koha për sfida tjera garuese, me shpresë për më shumë sukses se në vitet e fundit.

Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet me Rumaninë e Qipron

Portier:  Arijanet Muriq, Visar Bekaj, Ilir Avdyli

Mbrojtës: Amir Rrahmani, Mërgim Vojvoda, Mirlind Kryeziu, Florent Hadërgjonaj, Ilir Krasniqi, Donat Rrudhani, Lumbardh Dellova, Fidan Aliti, Leart Paqarada

Mesfushorë/sulmues: Valon Berisha, Lindon Emërllahu, Elvis Rexhbeçaj, Florent Muslija, Edon Zhegrova, Milot Rashica, Ermal Krasniqi, Emir Sahiti, Fisnik Asllani, Astrit Selmani, Eliot Bujupi, Albion Rrahmani, Vedat Muriqi