Sulmuesi i Kosovës, Meriton Korenica, ia ka kushtuar nënës së tij golin e shënuar kundër liderit të kampionatit të Rumanisë, Rapid Bukureshti.
Korenica shënoi golin e tretë në fitoren 3:0 të Clujit ndaj Rapidit, të dielën mbrëma. “Nëna ime ishte motivim shtesë, ishte hera e parë që erdhi të më shihte në stadium këtu. Ajo zakonisht ka frikë të shikojë ndeshje në kohë reale, por ajo bëri një përjashtim. Ky gol është për nënën time”, ka thënë Korenica.
Ai ka theksuar se pak ka rëndësi te Cluji se kush shënon gola. E rëndësishme, sipas tij, është fitorja.
“Ne vazhdojmë luftën për plejof. Nuk duam të ndalemi këtu. Falënderoj shokët e mi të ekipit dhe trajnerin dhe shpresoj të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë ”, ka theksuar Korenica.
Korenica ka shënuar katër gola në 16 ndeshje, ndërsa ka edhe dy asistime. Në total këtë edicion, Korenica ka shënuar pesë gola dhe ka kontribuar me shtatë asistime.
Rapidi është lider me 35 pikë, kurse Cluji në vendin e 11-të me 19 pikë.