Të premten në mediumet italiane është konfirmuar interesimi i Bolognas për mbrojtësin e Kosovës, Dion Gallapeni.
Gallapeni 21-vjeçar, i cili është futbollist i Widzew Lodzit por i huazuar te Wisla Plock, shihet si zëvendësues i Charalmpos Lykogiannis në krahun e majtë të mbrojtjes.
Kështu ka raportuar “Resto del Carlino”, sipas të cilit medium Bologna ka kërkuar informacione fillestare në lidhje me mbrojtësin e Kosovës.
Gallapeni ka shkëlqyer me Kosovën në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2026, ndërsa karakterizohet për lojë të sigurt me top dhe vrapime të shumta në krahun e majtë. Gallapeni me Kosovën i ka 11 paraqitje, ndërsa në këtë edicion e ka një gol të shënuar e tri asistime në nivel klubesh në Poloni.
Faqja që merret me transferime të lojtarëve “transfermarkt”, e vlerëson Gallapenin me 2.5 milionë euro.