Futboll

Kartoni i kuq “i marrë”, bëhet çështje te Liverpooli

Hugo Ekitike

Derisa Hugo Ekitike po kthehej, me fanellën e kuqe të Liverpoolit ende në duar, pasi kishte ngritur atë para tifozëve të Liverpoolit në “Anfield”, ai nuk po pritej me buzëqeshje dhe përqafime siç ndodhë zakonisht. Ekitike hoqi fanellën derisa po festonte golin e fitores 2:1 të Liverpoolit në “Carabao Cup”, të martën mbrëma ndaj Southamptonit.

Por ku po përfundonte festën dhe po kthehej në fushë, e priti fytyra plot frustrim e Jeremie Frimpongut. Ai e dinte se çka po ndodhte dhe Ekitike e kuptoi shpejt po ashtu. Ai mori kartonin e dytë të verdhë për heqje të fanellës dhe u përjashtua.

23-vjeçari iu drejtua zhveshtores, duke kaluar pranë trajnerëve të pakënaqur. Liverpooli duhej të përfundonte ndeshjen me 10 lojtarë. Shokët e tij të ekipit mbijetuan, por tani do të jenë pa të për udhëtimin e fundjavës në Crystal Palace. Ekitike vuan një pezullim prej një ndeshjeje.

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, nuk u përmbajt pas fishkëllimës së fundit.

“Ishte e panevojshme dhe budallallëk”, tha Slot në konferencë për shtyp.

“I thash atij se nëse shënon në finale të Ligës së Kampionëve, në minutën e 87-të duke e dërguar topin në cepin e sipërm të portës pasi ka kaluar më shumë se tre lojtarë, ndoshta mund ta kuptoj që mendon se ‘e gjitha ka të bëj me mua’. Unë jam i modës së vjetër. Jam 47-vjeçar dhe nuk kam luajtur në këtë nivel, por kam shënuar disa gola dhe nëse do të kisha shënuar një gol të tillë do të isha kthyer dhe do të shkoja te Federico Chiesa. Do t’i kisha thënë: ‘Ky gol ka të bëjë vetëm me ty, jo me mua’. Pra karton i panevojshëm, jo i mençur, t’i e quan të marrë, të marrë e quaj edhe unë”, ka theksuar Slot.

Përjashtimi u bë edhe më i rëndë për faktin se kartoni i parë i verdhë i Ekitikes ishte po ashtu i panevojshëm. Apo siç tha mbrojtësi i majtë, Andy Robertson, gjithashtu një “budallallëk”.

Pas një dueli me qendërmbrojtësin Nathan Wood, arbitri dha faull të shkaktuar nga Ekitike. Dy lojtarët u tërhoqën për fanella, ndërsa i frustruar me vendimin e arbitrit sulmuesi i Liverpoolit goditi topin në ajër.

“I pari ishte i panevojshëm dhe deri në një masë budallallëk, pasi duhet të kontrollosh emocionet”, tha Arne Slot. “E di sa vështirë është për numrin 9. Mbrojtësi mund të bëjë thuajse gjithçka dhe pastaj kur e tërheq ose e shtyn pak, jepet faull kundër sulmuesit. Është gjithmonë më mirë të kontrollosh emocionet dhe nëse nuk mundesh, zgjedh një mënyrë që nuk kushton me karton”.

Pyetja kryesore, derisa tifozët po largoheshin nga “Anfieldi”, ishte pse Ekitike hoqi fanellën.

Ndoshta ai thjeshtë ka harruar se kishte karton të verdhë, por festa dukej sikur kishte një kuptim. Më herët në mbrëmje, Ekitike shikoi nga stoli se si transferimi rekord, Alexander Isak shënoi golin e parë për Liverpoolin. Ekitike në lojë hyri në vend të Isakut.

Dhe reagimi i tij pas golit të minutës së 85-të ishte lehtë i kuptueshëm. Ishte goli i pestë në tetë ndeshje për sulmuesin e Francës që nga transferimi prej Eintracht Frankfurtit. Ai dëshironte të tregonte se është ende prezent.

Liverpooli dhe dy sulmuesit e gjejnë veten në situatë unike. Një sulmues që transferohet për 69 milionë funte pret të jetë startues. Por edhe një sulmues i transferuar për 125 milionë funte nuk pret që konkurrenti i tij kryesor të jetë një lojtar i transferuar në të njëjtin afat kalimtar dhe për shumë para po ashtu.

Por nëntëshet kanë nevojë për pak egoizëm. Kjo i bën golashënuesit më të mirë që edhe janë. Duhet të jenë të sigurt në vete dhe të kenë besim në kufi të arrogancës.

Ekitike është dashur të përballet me zhvillimet rreth Isakut që nga momenti kur kaloi te Liverpooli. Por në vend se të përgjigjet negativisht, ai ka pranuar sfidën. Të martën mbrëma ishte gabimi i tij i parë.

Dilema Isak – Ekitike pritet të bëhet gjithnjë e më e madhe për Slotin. Dhe mund të jetë sfida më e madhe e gjithë edicionit për teknikun holandez. Deri tani situata ishte e lehtë. Por Slotin e presin vendime të vështira.

Për Ekitiken, që kërkoi falje duke pranuar se emocionet e mposhtën, përjashtimi duhet të jetë një mësim. Fillimi i tij fenomenal në “Anfield” është arsyeja pse numri 9 është temë te kampioni anglez.