Futboll

Jashari flet për periudhën e vështirë te Milani

Ardon Jashari

23-vjeçari Ardon Jashari ka luajtur vetëm 196 minuta për Milanin prej transferimit në verë, që u përcoll me bujë. Thyerja e ashtit të këmbës e la atë jashtë fushës për kohë të gjatë, pas transferimit prej 36 milionë eurove. Si titullar për herë të parë luajti më 4 dhjetor në humbjen nga Lazio në Kupën e Italisë në “Olimpico” të Romës. 

“Këmba ime nuk është duke më shkaktuar më ndonjë problem”, ka shpjeguar Jashari në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”. 

Dy javë kaluan pasi mesfushori i Zvicrës e kishte shansin si titullar ndaj Lazios. Të enjten mbrëma, ai luajti titullar edhe ndaj kampionit në fuqi të Italisë, Napolit, në gjysmëfinale të Superkupës së Italisë.

Milani u mposht 2:0. 

Këto dy eliminime të hershme janë fytyrë krejtësisht tjetër e skuadrës në krahasim me atë në ligë, ku është vetëm një pikë prapa rivalit Interit në garën për titull. 

Jashari në ligë po i pret minutat e parë pas lëndimit që kishte. 

“Pasi negociatat për transferimin tim u komplikuan, lëndimi erdhi në kohë të keqe”, reflekton Jashari. Ai ka qenë në stërvitje me ekipin për tri javë dhe posa bëri progres, erdhi lëndimi. 

“Është pjesa e keqe e fatit në futboll”. 

Modriqi si konkurrent dhe model

Ai pati vështirësi veçanërisht në aspektin mendor, në tri ditët e para pas lëndimit, ndonëse bashkëlojtarët, trajnerët dhe zyrtarët e klubit e bënë të ndihej i rëndësishëm. 

“Më është dhënë mundësia që të udhëtoj te familja ime në Zug. Kalimi i kohës me familjen dhe shoqërinë më ka ndihmuar që të mos e vuaja shumë dëmtimin”. 

Jashari është te Milani që prej muajit shtator, ndërsa është kthyer në stërvitje me ekipin dhe punën në palestër. Ishte pjesë e skuadrës në Serie A më 4 nëntor, por nuk ka luajtur asnjë minutë në ligë që prej asaj kohe. Kjo nuk pati të bëj vetëm me lëndimin por edhe me konkurrencën e fortë në mesfushë, ku janë edhe Luka Modriq dhe Adrien Rabiot. 

“Të luajë me të është e jashtëzakonshme për secilin, jo vetëm për mua”, ka thënë Jashari, duke e përgëzuar kroatin dhe duke nënvizuar se sa mund të përfitojnë lojtarët nga veterani. 

“Nuk mund të imitoni lojtarë të tillë, por mund të mësoni nga ta dhe të zhvilloheni”.

Liga e Kampionëve, synimi madhor

Jashari është me plot përgëzime për trajnerin e tij. Massimiliano Allegri është “i domosdoshëm” për sukseset e ekipit. Ai i jep gjithë skuadrës vetëbesim. 

“Ai ka punuar me plot lojtarë të rëndësishëm. Mund të mësoj shumë nga një trajner si ai”. 

Me vetëm një humbje në këtë sezon, Allegri është duke i mbushur tifozët me ëndrrën e titullit të 20-të në ligë. 

Por për Jasharin është ende herët të flitet për titullin e kampionit. Ai nuk dëshiron të flas shumë për synimet personale. 

“Dua që të kënaqem dhe ta ndihmoj këtë skuadër”. 

Por, ai e bën një gjë të qartë. 

“Dua që të kthehem në formë dhe të luaj rregullisht dhe ta kërkoj më të mirën”. 

Synimi i tij kryesor është arritja në Ligën e Kampionëve.