Qendërmbrojtësi Ardian Ismajli dhe mesfushori Kristjan Asllani, thanë pas ndeshjes se kanë pritur ndeshje të fortë, por janë të lumtur me fitoren.
“Me një taktikë të jashtëzakonshme dhe me grupin që e ndihmoi njëri-tjetrin si dhe me mbështetjen e tifozëve, ia dolëm mbarë. Ishte fitore e veçantë sepse ishte fitorja e parë ndaj Ukrainës”, tha fillimisht Ismajli, i cili nuk luajti në “Euro 2024”, ndonëse ishte i ftuar. Por ai tha se nuk ka asnjë problem me përzgjedhësin brazilian, dhe theksoi se është profesionist. Shtoi se çdo situatë e merr me sportivitet.
“Jam profesionist dhe do të vazhdoj ta jap më të mirën. Ato ishin zgjedhjet e trajnerit, tani shikojmë kah e ardhmja. Besoj e rëndësishme është të dilnim me tri pikë nga ky udhëtim i vështirë. Tani të martën do të shohim për ndeshjen e ardhshme ndaj Gjeorgjisë që bëri ndeshje të madhe ndaj Republikës së Çekisë”, shtoi ai.
Edhe Kristjan Asllani u shpreh i lumtur me fitoren ndaj Ukrainës.
“Ishte fitore e madhe jashtë shtëpisë, ndaj një skuadre që luan futboll të mirë. Ata mbajtën topin kurse ne u mbrojtëm. Fituam dhe jemi të lumtur. Tani kemi ndeshje tjetër. Kjo fitore na ndihmon shumë sepse ishte ndeshja e parë, dhe kur e fillon mirë, je një hap para. Fitorja na duhej dhe jemi të lumtur”, deklaroi mesfushori i Interit.