Ish-mesfushori i Shqipërisë, Alban Meha, ka dalë kundër organizimit të përbashkët të Evropianit U21 të vitit 2027, që Shqipëria e organizon bashkë me Serbinë.
“Sigurisht që unë jam kundër këtij organizimi që bëhet, edhe për vetë faktin se jam nga Prekazi dhe nuk mund ta imagjinoj diçka të tillë”, ka thënë Meha në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai është prej pak lojtarëve që kanë luajtur për Shqipërinë dhe kanë shprehur publikisht mendimin për organizimin e Evropianit Shqipëri – Serbi.
Meha 39-vjeçar ka luajtur shtatë ndeshje për Shqipërinë, ndërsa ka shënuar dy gola.
Por ai mbeti jashtë Evropianit të vitit 2016, ndonëse ishte pjesë e ndeshjeve kualifikuese.
Ai është ende aktiv si futbollist. Luan për CSC 03 Kassel, që garon në rangje të ulëta të Gjermanisë.
Meha ka folur edhe për ndeshjen që Shqipëria e luan kundër Serbisë më 11 tetor, në Leskovc. Ndeshja Serbi – Shqipëri u takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Është ndeshje vendimtare për vendin e dytë në grup. Vendi i dytë siguron plejofin për Botërorin e vitit të ardhshëm.
“Duhet vetëm fitore me Serbinë, nuk ka asgjë tjetër”, është shprehur Meha.
Ai ka theksuar se lojtarët e Shqipërisë do ta kenë të vështirë në Leksovc.
“Serbisë nuk duhet që t’i besohet asnjëherë dhe besoj se futbollistët tonë do ta kenë shumë të vështirë të luajnë atje. Gjithsesi, unë dua që t’iu uroj shumë suksese dhe të na bëjnë krenarë me një fitore”, ka thënë ai.
Meha ishte pjesë e Shqipërisë për ndeshjen e ndërprerë në Beograd.
Në vitin 2014 në Beograd ndeshja mes Serbisë e Shqipërisë ishte ndërprerë që në pjesën e parë. Huliganët serbë, por edhe lojtarët dhe pjesëtarët e sigurisë kishin sulmuar lojtarët e Shqipërisë, pas shfaqjes së flamurit të famshëm me dron. Në fund ndeshja ishte regjistruar me rezultat 3:0 në të mirë të Shqipërisë, pas një procesi të gjatë.
“Ajo natë në Beograd ishte një natë tmerri. Unë e dija që serbët do të na prisnim shumë keq, por ia dolën dhe e treguam si ekip që ishim shumë të fortë dhe se nuk kishim frikë nga Serbia. Besoj se në atë ndeshje, e ka parë e gjithë bota se çfarë njerëzish janë ata”, ka theksuar Meha.
Meha i ka edhe dy ndeshje me Kosovën. Ka shënuar tre gola në 18 ndeshje në Bundesligë me fanellën e Paderbornit. Karriera e tij kryesisht është zhvilluar në Gjermani. Në Turqi ka luajtur për Konyasporin.