Pas gabimit që e bëri xhiron e kaluar, Interi e lëshoi pozitën e parë në kampionatin italian.
Interi në fakt ka dy disfata rresht në Serie A. U mposht nga Roma e më pas edhe nga Bologna.
Katër xhiro para fundit, Interi ka 71 pikë në vendin e dytë. Lider është Napoli me tri pikë më shumë.
Skuadra e Simone Inzaghit shpreson që në fundjavë të kthehet te fitorja.
Interi të shtunën nga ora 20:45 e pret Veronan, në ndeshjen e xhiros së 35-të. Verona ka 32 pikë në pozitën e 15-të.
“Nerazzurrët” të mërkurën barazuan 3:3 në udhëtim me Barcelonën, në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e kthimit luhet të martën në “Giuseppe Meazza”.
Rezultati i favorshëm nga ndeshja në Barcelonë ka kthyer entuziazmin te skuadra dhe tifozët e Interit. Kjo pritet të reflektojë edhe në garën në Serie A.
Edhe Napoli luan të shtunën. Nga ora 18:00 e viziton Leccen.
Skuadra ku aktivizohet kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka tetë ndeshje pa humbje në ligë. Napoli kërkon tjetër fitore për ta ruajtur vendin e parë.
Por nuk do ta ketë lehtë me Leccen, që është në kërkim të pikëve të shpëtimit.
Lecce ka 27 pikë dhe e zë vendin e 17-të. Me humbje rrezikon të bjerë në zonën që dërgon në Serie B në fund të edicionit. Te Lecce luajnë Ylber Ramadani dhe Medon Berisha.