Futboll

I “harruar” nga Shqipëria, Mehmeti vazhdon shkëlqimin në Angli

Anis Mehmeti

Anis Mehmeti shënoi tjetër gol të shtunën mbrëma për skuadrën e Bristol Cityt, që bën gara në kategorinë e dytë të futbollit anglez. 

25-vjeçari e realizoi golin e dytë në fitoren e thellë, 5:1, ndaj Watfordit. E ndihmoi skuadrën e tij të avancojë në raundin e katërt të Kupës FA. 

Në fakt për Mehmetin ishte vetëm kontributi i radhës. Ai po kalon formë të mirë dhe të shtunën iu gëzua golit të nëntë në të gjitha garat, në 29 paraqitje të këtij edicioni. Mesfushori me tipare sulmuese nuk është vetëm shënues i mirë i golave. Ai ndihmon edhe me asistime. I ka gjashtë tashmë. Është i aftë të realizojë gola me kokë, nga distanca me gjuajtje të fuqishme e nga kënde të vështira. 
Por vazhdon të “injorohet” nga përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ndonëse në Angli vlerësohet lartë për paraqitjet. “Championshipi” anglez po ashtu vlerësohet kampionat shumë i fortë dhe i vështirë për t’u luajtur. Ndonëse kategoria e dytë angleze, Championshipi vlerësohet dukshëm më cilësor se plot kampionate elitare në Evropë. 

Mehmeti i ka vetëm tri paraqitje për Shqipërinë. Debutoi si 22-vjeçar nën drejtimin e brazilianit Sylvinho por në të tria ndeshjet pati minutazh të limituar. Ai luajti në kualifikime për “Euro 2024”, por mungoi në turneun final në Gjermani. 

Sylvinho ka folur për Mehmetin më herët dhe ka thënë se në pozitën ku ai luan, në krahun e majtë të sulmit, ka lojtarë të tjerë cilësorë si Arbër Hoxha, Nedim Bajrami e Myrto Uzuni. 

Mehmeti nuk ka folur në lidhje me mosftesën e tij. Por në grumbullimet për ndeshjet kualifikuese të “Euro 2024”, kishte thënë për FSHF-në se me debutim me fanellën “kuqezi”, ëndrra i është bërë realitet. 

VIDEO: Goli i Mehmetit

 

“Të luaj me fanellën kuqezi ka qenë ëndërr për mua dhe për familjen time. Ka akoma shumë për t’u përmirësuar, sigurisht që kam pasur shumë emocione, ishte një ditë shumë speciale për mua. Jam ndier shumë mirë për debutimin në Kombëtare, ashtu si edhe familja ime që ishte shumë e lumtur”, kishte thënë Mehmeti pas debutimit ndaj Polonisë, në humbjen 1:0. 

Mehmeti në heshtje vazhdon me paraqitje të mira. Në fillim të dhjetorit, faqja zyrtare e Bristol Cityt e kishte shpallur lojtarin më të mirë të muajit nëntor. Vlerësimi ishte bërë me votat e tifozëve. Ai kishte qenë titullar në çdo ndeshje të atij muaji, ndërsa kishte regjistruar tri asistime ndaj Swansea Cityt dhe kishte realizuar gol në fitoren ndaj Portsmouthit. 

Të dielën, mediumi i fuqishëm “Sky” e futi në formacionin më të mirë të “Championshipit”, pas 26 xhirove të luajtura. 

Mehmeti është golashënuesi më i mirë i Bristolit në kampionat me tetë gola, ndërsa listës i prin Adam Armstrong i Southamptonit me 11. Bristol City është i 10-ti me 39 pikë dhe shpreson ta zërë njërën prej gjashtë vendeve të para, që jep shpresë për avancim në elitën angleze. Dy vendet e para sigurojnë promovimin direkt në Premier League. Nga vendi i tretë deri tek i gjashti luajnë në plejof. 
“Mehmeti ka qenë i jashtëzakonshëm këtë sezon. Gola, asistime, i gjithanshëm. Dhe paraqitjet shumë të mira në çdo ndeshje, kanë bërë që ai të jetë njëri prej sulmuesve më efektiv në këtë kategori. Ai krahasohet edhe me Joe Gelhartin e Hull Cityt dhe Abdul Fatawun e Leicester Cityt. Shumë aktiv dhe kreativ, ai ndikon në ndeshje në mënyrë të vazhdueshme dhe e di saktësisht se ku është porta. Dhe përderisa karriera e tij është në ngritje, ndikimi në këtë nivel është rritur shumë. Dhe kur është në formë të mirë, është i papërshtatshëm për mbrojtësit”, ka shkruar “Sky” të dielën. 

Mehmeti si futbollist është zhvilluar te të rinjtë e Fulhamit, Tottenhamit dhe Norwichit. Nga Norwichi U18 bëri hapin te Woodford Town në vitin 2019. Një vit më pas u transferua te Wycombe, ndërsa te Bristol City është prej vitit 2023.