Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Granit Xhaka përshkruhet si “lojtar i përkryer”

xhaka

Bindja e Granit Xhakës që të kalojë nga Bayer Leverkuseni te Sunderlandi ishte momenti më i rëndësishëm i klubit anglez në prag të kthimit në Premier League. Kështu të paktën ka theksuar Florent Ghisolfi, drejtor sportiv i Sunderlandit. 

Ai ka theksuar se vendimi i Xhakës për t’iu bashkuar Sunderlandit i parapriu kampanjës shumë të suksesshme në Premier League.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Xhaka ka nisur furishëm te Sunderlandi dhe vazhdon me paraqitje shumë të mira. Dhe Ghisolfi e vlerëson Xhakën si “lojtar të përkryer”.

Ai ka pranuar se negociatat me lojtarët u bënë shumë më të lehta pasi kapiteni i Zvicrës iu bashkua projektit të Sunderlandit.

“Graniti ishte transferim shumë i rëndësishëm për ne. Pra për ekipin, për klubin dhe po ashtu për komunitetin. Mendoj se Graniti ishte ‘punë e madhe’ për ne. Më pas ishte më e lehtë për mua që të punoj në rekrutimin e lojtarëve pasi ishim më atraktivë për lojtarët e tjerë”, ka thënë Ghisolfi. 

Ai është francez, kurse drejtor i futbollit te Sunderlandi është prej 2 korrikut të vitit të kaluar. Më herët ka punuar te Roma në Itali dhe Nice e Lensi në Francë.

“Kam menduar se lojtari i përkryer nuk ekziston, por tani e di se Graniti është. Si lojtar dhe si lider ai është i shkëlqyer. Ai është gjë e madhe për klubin dhe komunitetin, pasi vlerat e tij janë të njëjta me ato të Sunderlandit. Jemi shumë të lumtur që ai i besoi klubit dhe komunitetit. Mendoj se ai i besoi projektit dhe u tregoi shumë njerëzve se ishte projekt kredibil në Premier League”, ka thënë Ghisolfi për një emision të BBC. 

Deklaratat e tij të premten janë përcjellë nga shumë mediume të afërta me Sunderlandin. Ghisolfi ka theksuar se Xhaka pas vetëm pesë minutash bisedë bëri të qartë se dëshiron t’i bashkohet Sunderlandit. 

“Ishte një moment shumë i rëndësishëm për rrugëtimin tonë në Premier League”.

33-vjeçari Xhaka ka luajtur 27 ndeshje në Premier League. Ka pesë asistime e një gol, por kontributi i tij në balancimin e skuadrës dhe udhëheqjen e mesfushës vlerësohet shumë i madh. Si kapiten, ai po e udhëheq Sunderlandin drejt kampanjës solide në Premier League dhe potencialisht daljes në Evropë.

Shtatë xhiro para fundit, Sunderlandi është i 11-ti me 43 pikë. Ndeshjen e ardhshme e luan të dielën në shtëpi ndaj Tottenhamit.

Xhaka për shkak të një lëndimi mungoi në pesë ndeshje në fund të janarit dhe gjatë muajit shkurt. Dhe mungesa e liderit në fushë bëri që Sunderlandi të lëshojë pikë të rëndësishme dhe të humbë paksa hapin në garën për dalje në Evropë.