Golashënuesja më e mirë e Spanjës, Jenni Hermoso, është lënë jashtë ekipit për Kampionatin Evropian që do të organizohet në Zvicër.
35-vjeçarja Hermoso ka realizuar 57 gola në 123 paraqitje për shtetin e saj, teksa ka luajtur rol të rëndësishëm në triumfin në Kupën e Botës në Australi, në vitin 2023.
Paraqitja e fundit e saj ishte në tetor të vitit 2024.
Pasi e fitoi Kupën e Botës, Hermoson e kishte puthur ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales, pa pëlqimin e saj. Rubiales më vonë ishte dënuar për sulm seksual.
“I kemi parë paraqitjet e saj me skuadrën Tigers. Kemi disa lojtare që mund të luajnë në atë pozitë. Është vështirë t’i zgjedhësh 23 lojtare, por duhet ta kryejmë punën në mënyrë profesionale”, është shprehur selektorja Montse Tome.
Evropiani i futbollisteve nis më 2 korrik.
Spanja ndeshjen e parë të Grupit B e luan ndaj Portugalisë.