Barcelona ka mbetur duarthatë nga ndeshja me Gironan.
Të hënën mbrëma në kuadër të xhiros së 24-t të La Ligas, Girona fitoi 2:1. Me këtë humbje Barcelona mbetet në pozitën e dytë me 58 pikë. Real Madridi është lider me 60 pikë.
Barça kishte rastin të kthehej në vendin e parë me fitore, por mbeti pa pika nga udhëtimi i vështirë.
Lamine Yamal humbi penallti në fund të pjesës së parë, kurse pjesa e dytë ishte shumë dramatike.
Pau Cubarsi e kaloi në epërsi 1:0 Barcelonën në minutën e 59-të.
Për 1:1 shënoi Thomas Lemar menjëherë në minutën e 62-të.
Ndërkohë golin e fitores për Gironan e shënoi Fran Beltran në minutën e 86-të.
Skuadra vendase kishte edhe disa mundësi të tjera shumë të mira. Por portieri Joan Garcia i kishte disa pritje vendimtare.
Edhe Barcelona kishte rastet e saj, por pa konkretizuar më.
Girona me fitore doli në vendin e 12-të në tabelën e La Ligas.
Për Barcelonën ishte humbja e dytë rresht. Javën e kaluar Barça “u rrah”, 4:0 nga Atletico Madridi në ndeshje për Kupë.