Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka thënë se e mirëkupton kritikën e trajnerit të Austrisë, Ralf Rangnick, për gjendjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, por ka theksuar se kushtet janë të njëjta për të dyja ekipet.
“Fusha nuk ka qenë dhe nuk është në gjendje të mirë. Shumica e ekipeve gjatë verës kanë luajtur këtu. Por ne e dimë që kjo gjendje vlen për të dyja ekipet dhe e mirëkuptoj kritikën”, ka thënë Foda në konferencën për media para ndeshjes së nesërme.
Ndërkohë, sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka qenë më i drejtpërdrejtë në reagimin e tij ndaj kritikave për fushën.
“Fusha është e njëjtë. Kanë ardhur edhe ekipe të tjera të njohura, por nuk janë ankuar. Po më duket si arsye për pas ndeshjes, ishalla del ashtu”, ka deklaruar Muriqi.
“Në Mallorca, pavarësisht se kemi fusha të mira, kemi bërë lojë edhe me topa të gjatë”, ka thënë Muriqi.
Foda: Synojmë fitore ndaj Austrisë, në mbrojtje jemi përmirësuar
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka thënë se “Dardanët” janë përgatitur për një ndeshje intensive ndaj Austrisë nesër, duke theksuar rëndësinë e tranzicionit dhe përmirësimit në fazën e mbrojtjes.
Foda ka pranuar se Kosova ka pasur probleme në mbrojtje në përballjen e fundit me Austrinë, por ka vlerësuar se ekipi ka treguar përmirësime në këtë aspekt në ndeshjen ndaj Izraelit.
“Kemi pasur disa probleme ndaj Austrisë në mbrojtje. Kemi treguar ndaj Izraelit se jemi përmirësuar. E kemi analizuar mirë lojën dhe jemi përgatitur mirë. Na pret një ndeshje intensive. Duhet të kemi kujdes në tranzicion, në kalimin nga sulmi në mbrojtje dhe anasjelltas”, ka thënë Foda.
Trajneri gjerman ka theksuar se fakti që ndeshja zhvillohet në Prishtinë dhe para tifozëve të Kosovës duhet t’i japë ekipit energji shtesë.
“Tani e dimë që jemi në shtëpi dhe e kemi publikun. Kjo na shërben për një energji tjetër”, është shprehur ai.
Foda ka folur edhe për analizën që bëhet pas çdo ndeshjeje dhe për ndryshimet që mund të bëhen në formacion. Ai ka thënë se ndaj Izraelit ekipi ishte më i stabilizuar në mbrojtje, ndërsa disa lojtarë kanë pasur probleme me lëndime.
“Pas çdo ndeshjeje bëjmë analiza dhe marrim vendime. Në Izrael u stabilizuam në mbrojtje. Disa lojtarë kanë pasur lëndime. Ndaj Izraelit bëmë ndryshime dhe tani, kundër Austrisë, duhet të kemi energji dhe pasion”, ka deklaruar Foda.
Ai më herët ka theksuar se Kosova synon fitoren në shtëpi, ndërsa sipas tij, detajet mund të jenë vendimtare në përballjen ndaj Austrisë.
Muriqi: Kisha ngarkesë të muskujve prandaj mungova ndaj Izraelit
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka thënë se nuk luajti ndaj Izraelit për shkak se kishte ngarkesë të muskujve, të cilën e ka cilësuar si normale.
Në rrjetet sociale u shpërndan lajme se Muriqi pati refuzuar të luante ndaj Izraelit. Por sulmuesi i Fenerbahçes ka hedhur poshtë këto pretendime. Ai është i gatshëm për ndeshjen e nesërme ndaj Austrisë.
“Kisha ngarkesë të muskujve, është normale. Kisha lëndim para një muaj e gjysmë. Sot do të stërvitem dhe do të jem gati për lojë”, ka thënë Muriqi.
Muriqi foli edhe për rolin e ri si kapiten i Kosovës, duke thënë se nuk e ndien si diçka të jashtëzakonshme, pasi për një kohë të gjatë ka qenë zëvendëskapiten dhe është përpjekur të ketë rol udhëheqës brenda ekipit. Ai tha se në mungesë të kapitenit Amir Rrahmani ka qenë lojtari i parë që ka marrë shiritin dhe se tashmë synon që përvoja e tij ta ndihmojë edhe gjeneratën e re.
Sulmuesi theksoi se nuk ndien presion nga përgjegjësia e re dhe se bashkë me lojtarët më me përvojë, si Milot Rashica dhe Mërgim Vojvoda, po përpiqen t’ua përcjellin eksperiencën futbollistëve të rinj.
Duke folur për ndeshjen me Austrinë, Muriqi pranoi se e kishte humbur një mundësi të artë për të shënuar, por theksoi se gjithmonë tenton të shënojë kur ka mundësi. Ai vuri në pah edhe rëndësinë e lojtarëve me përvojë në fushë, sidomos në ndeshje të tilla.