Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i ka kërkuar falje përzgjedhësit të Argjentinës, Lionel Scaloni, pas një ngatërrese gjatë shortit për Kupën e Botës 2026 në futboll, që u tërhoq të premten. Trajneri argjentinas u detyrua të mbante doreza për ta prekur trofeun.
Infantino e ftoi Scalonin ta ngrinte Kupën pa doreza, gjatë një ceremonie të veçantë të mbajtur të shtunën.
Incidenti ndodhi gjatë shortit dhe organizatorët me sa duket nuk arritën ta njohin trajnerin fitues të Kupës së Botës, shkruan “Reuters”.
Scaloni, që ishte dukshëm i habitur, tha se zyrtarët nuk e dinin se kush ishte ai. 24 orë më pas, në ngjarjen për të konfirmuar orarin e turneut, Infantino synonte të ndreqte gabimin.
“Kërkoj falje në emër të FIFA-s. Nuk e dija”, tha ai, duke e ftuar Scalonin në skenë dhe duke ia dorëzuar trofeun.
“Sigurisht, kampionët e botës mund ta prekin Kupën. Kërkojë ndjesë, nuk e dija”, përsëriti presidenti i FIFA-s. Në të qeshur ai shtoi: “E pabesueshme! Kur je kampion bote, dukesh gjithnjë e më i ri”.