Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

E shtunë e zjarrtë e lojtarëve të Kosovës

E shtunë e zjarrtë e lojtarëve të Kosovës

Mbrojtësi Mërgim Vojvoda realizoi të shtunën supergol për Comon që e mposhti në udhëtim Juventusin, skuadrën e madhe italiane. Vojvoda në minutën e 11-të të ndeshjes bëri lëvizje shumë të mirë brenda zonës duke u shmangur nga Teun Koopmeiners. Më pas gjuajti me të majtën. Pas devijimit të lehtë të topit, Vojvoda e mposhti portierin Michele Di Gregorio për 1:0. Vojvoda në fund e pranoi edhe çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes, në fitoren 2:0. Vojvoda luajti deri në minutën e 73-të. Në bankën rezervë te Juventusi ishte Edon Zhegrova, por sërish nuk e pati rastin.

Como me 45 pikë zë vendin e gjashtë. E ka një pikë më pak se Juventusi që është i pesti.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Të gjithë ishim shumë të mirë, si ne që ishim titullar, si ata të cilët u futën në lojë më vonë. Jemi me të vërtetë një grup i bashkuar. Ne po punojmë shumë mirë dhe sot na u shpagua mundi”, ka deklaruar pas ndeshjes mbrojtësi i Kosovës për transmetuesin televiziv “DAZN”. 31-vjeçari Vojvoda tani ka dy gola të shënuar e tri asistime në 26 paraqitje në të gjitha garat.

“Nuk e di nëse jemi duke e synuar vendin që dërgon në ‘Champions’. Do të ishte mirë po të ishim aty dhe të garonim me skuadrat më të mira. Kjo është gjë që na bën krenarë të gjithëve. Por ne do të provojmë që t’i bëjmë njerëzit e këtij qyteti të lumtur sepse e meritojnë. Më pas të shohim se deri ku mund të arrijmë”.

Përveç Vojvodës, fundjavë me shkëlqim patën edhe disa lojtarë të tjerë të Kosovës që vlerësohen të rëndësishëm në formacionin e përzgjedhësit Franco Foda.

Në kampionatin elitar gjerman, Elvis Rexhbeçaj shënoi golin e fitores 3:2 të Augsburgut në udhëtim te Wolfsburgu. Rexhbeçaj shënoi në minutën e 93-të ndaj ish-skuadrës.

“U ktheva në shtëpi, familja ime është këtu dhe të shënosh golin e fitores në kohën shtesë – është thjesht e shkëlqyer! Sot fitorja ishte shumë e rëndësishme. Kemi dhënë gjithçka. E dinim se çka jemi në gjendje të bëjmë dhe kështu duam të fitojmë pikë javë pas jave”, ka deklaruar pas ndeshjes Rexhbeçaj.

Po në Bundesligën gjermane të shtunën, me asistim në barazimin e Hoffenheimit 2:2 në udhëtim te Kolni, kontribuoi mbrojtësi Albian Hajdari.

Futbollistët e Kosovës vazhduan me paraqitje të mira edhe në ligat e tjera evropiane të futbollit.  

Në Bundesliga 2, që vlerësohet kampionat shumë i fortë, mesfushori Florent Muslija vazhdoi me asistim për Fortuna Dusseldorfin, që megjithatë, u mposht në udhëtim te Darmstadti 2:1.

Humbje 2:1 pësoi edhe Alanyaspori nga Bashakshehiri, por mbrojtësi Florent Hadërgjonaj realizoi supergol. Gol në këtë vikend shënoi edhe mesfushori me tipare sulmuese, Meriton Korenica, për skuadrën e Clujit që fitoi ndaj Petrolulit 2:1. Një ditë më herët, të premten, me plot sukses portën e Sassuolos e mbrojti Arijanet Muriq. Sassuolo fitoi 3:0 ndaj Veronas në Serie A. Të tjerë lojtarë të Kosovës do të luajnë të dielën. Vedat Muriqi, golashënuesi i dytë më i mirë në kampionatin e La Ligas, do të luajë me Mallorcan të dielën nga ora 18:30 në udhëtim te Celta Vigo. Muriqi me 16 gola të shënuar në këtë sezon në La Liga, e ka thyer rekordin personal për sezonin më të suksesshëm. Ai aktualisht është edhe golashënuesi më i mirë nga top-pesë ligat evropiane të futbollit, sa u takon golave me kokë. I ka shënuar gjashtë në total. Të gjitha i ka paraqitur në video faqja zyrtare e La Ligas të shtunën. Të tjera gola priten nga Muriqi, që është sulmuesi kryesor i Kosovës. Ai në La Liga i ka 50 gola në total, dhe është vetëm katër gola larg për ta barazuar rekordin e ish-sulmuesit kamerunas, Samuel Eto’o. Eto’o me 54 gola është golashënuesi më i mirë në histori të Mallorcas në La Liga.

Kështu, forma e lartë e futbollistëve të Kosovës vazhdon, pak më shumë se një muaj para ndeshjes gjysmëfinale të plejofit të Botërorit 2026. Kosova më 26 mars në Bratislavë, takohet me Sllovakinë në gjysmëfinale. Në rast të fitores, më 31 mars e pret në “Fadil Vokrri” fituesen e ndeshjes Turqia – Rumania.