Futboll

E çara në sy tregon për luftën e madhe të Xhakës në derbin e zjarrtë

Granit Xhaka

 Festë të madhe pati te skuadra e Sunderlandit të dielën pas fitores 1:0 ndaj Newcastle Unitedit. Kjo ndeshje vlerësohet shumë e zjarrtë. 

Skuadrat luajnë për të mos humbur, ndërsa lufta në fushë është shumë e madhe. Këtë e tregon më së miri pamja që Granit Xhaka, kapiteni dhe lideri i skuadrës së Sunderlandit, e pati pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit. 

Pikërisht për këtë gjë ka folur Xhaka të enjten në një intervistë për “Sky Sport”. Ai ka thënë se kishte parë ëndërr se do të pësonte një lëndim të tillë. Por, ka shtuar se fitorja në derbin “Wear-Tyne” do të mbahet mend gjatë. 

“Është hera e parë në karrierë që kam pasur një të çarë të tillë. Para ndeshjes, e kam parë në ëndërr këtë lëndim dhe se do të gjakosesha. Nuk e di pse! I thashë gruas se kjo do të kujtohet gjithmonë, kjo çarje. Derbi i parë për mua me këtë klub të futbollit dhe fitorja ishte e veçantë”, ka deklaruar Xhaka. 

Me fitore, Sunderlandi tani ka 26 pikë në vendin e tetë në Premier League. Nga 26 pikë i kanë edhe Crystal Palace, Manchester Unitedi dhe Liverpooli, prej pozitës së pestë deri në të shtatën. 

Xhaka ka theksuar se do t’i mbetet gjatë në memorie fitorja e arritur ndaj Newcastlet. 

“Është fitore që renditet lart në karrierën time. Pas ndeshjes kam parë njerëz të lumtur dhe me lot në sy. Atëherë kam thënë ‘uau, ia dolëm’! Pas kaq shumë vjetësh me sfida për këta tifozë, kjo është ndjenjë që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi në këtë moment”. 

33-vjeçari, që është edhe kapiten i Zvicrës dhe mban rekordin për paraqitje për shtetin helvetik, tha se e kishte edhe ndjenjën se fitorja do të arrihej. Ai kishte parë frikë te futbollistët kundërshtarë para ndeshjes. Por për të ishte e rëndësishme që derbi të mos humbej. 

Xhaka në intervistën e së enjtes ka folur edhe për marrëdhënien me trajnerin Regis Le Bris.

Marrëdhënia e tyre është shumë e veçantë. Ata kanë folur edhe për ndeshjen derbi po ashtu, ndonëse Le Bris është i mbyllët si person, sipas Xhakës.  

“Regisi është person që nuk shfaq emocione. Pas derbit ishte hera e parë që e kam parë duke shfaqur emocionet që përjeton. Edhe për të fitorja pati rëndësi të madhe, sepse ai e di se çfarë do të thotë kjo ndeshje për tifozët dhe klubin. Ai është zotëri”, është shprehur Xhaka. 

Xhaka në Angli vlerësohet si transferimi më i qëlluar i verës. Në afatin kalimtar veror iu bashkua Sunderlandit nga Bayer Leverkuseni, skuadra gjermane ku shkëlqeu. E fitoi titullin pa asnjë humbje, ndërsa e realizoi golin e fitores në triumfin në Kupë të Gjermanisë. Me Leverkusenin u mposht në finale të Ligës së Evropës nga Atalanta. 

Në këtë edicion me Sunderlandin, Xhaka ka luajtur në 16 ndeshje, e ka një gol të shënuar e katër asistime. Por kontributi i tij shkon shumë përtej golave e asistimeve.