Futboll

Drenica e Llapi barazojnë në ndeshjen e parë të sezonit të ri

Drenica - Llapi

Drenica dhe Llapi kanë barazuar në ndeshjen e parë të edicionit të ri 2025-26 të Superligës së Kosovës në futboll. 

Në stadiumin “Bajram Aliu” në Skënderaj, ndeshja e zhvilluar të dielën u mbyll pa gola, ndonëse rastet nuk munguan. 

Për Drenicën ishte ndeshja e parë në elitën e futbollit kosovar, pas dy edicioneve të kaluara në Ligën e Parë, që është kategoria e dytë. 

Në edicionin e kaluar, Drenica e siguroi promovimin në Superligë nga vendi i parë në Grupin A me 58 pikë. 

Ndërkohë, Llapi mbeti në pozitën e tetë në edicionin e kaluar me 47 pikë. Më pas e fitoi barazhin me Vushtrrinë dhe e siguroi qëndrimin në elitën e futbollit kosovar.