Futboll

Dështon gjykimi në rastin e Maradonës

Maradona

Gjykimi i stafit mjekësor të Diego Maradonës ka dështuar në Argjentinë, pasi është zbuluar se një gjykatës i përfshirë në rast, ka marrë pjesë në një dokumentar për këtë çështje.

Gjyqtari përgjegjës për procedurat ka thënë se gjykimi, i cili nisi më 11 mars dhe që pritej të zgjaste deri në korrik, duhet të rinisë.

Shtatë pjesëtarë të stafit mjekësor të Maradonës akuzoheshin për vrasje nga pakujdesia, në lidhje me vdekjen e legjendës së futbollit më 2020. Të gjithë mohojnë akuzat.

Një nga tre gjyqtarët kryesorë, Julieta Makintach, u dorëhoq më herët gjatë javës.

Maradona, legjendë e Napolit dhe Argjentinës, po rikuperohej në shtëpinë e tij në Buenos-Aires nga operimi në tru për shkak të mpiksjes së gjakut në nëntor të 2020-s. Ai vdiq në nëntor të atij viti, në moshën 60-vjeçare.

Në stafin shëndetësor që gjykohet janë një neurokirurg, një doktor dhe një infermiere. Ata kanë deklaruar se Maradona kishte refuzuar trajtimin dhe është dashur të qëndronte më gjatë në shtëpi pas operimit.

Po që se shpallen fajtorë, ata rrezikojnë burgim nga tetë deri në 25 vjet.

Më herët gjatë javës, prokurori Patricio Ferrari akuzoi Makintachin se po sillet si aktore dhe jo si gjykatëse, pasi mori pjesë në një dokumentar për rastin. Teksa traileri i serisë dokumentare u shfaq në gjykatë, avokati mbrojtës Rodolfo Baque e ka quajtur Makintachin “bërllok”.

E bija e Maradonas, Gianinna dhe ish-partnerja e tij, Veronika Ojeda, u panë duke qarë pasi panë pamjet e dokumentarit.

Është shkelje e rregullave të gjykatës që incizimet e paautorizuara të shfaqen. E dokumentari ishte incizuar pa lejen e gjykatës.

Pas kritikave për pjesëmarrjen në të, Makintach ka thënë se nuk ka zgjidhje tjetër pos të vetëpërjashtohet.

Gjyqi u shty deri sot, e tash u vlerësua si i pavlefshëm. Deri tash janë dëgjuar dëshmitë e rreth 50 dëshmitarëve.

Tash pritet caktimi i datës së re dhe gjyqtarëve të rinj.