Disa shqiptarë te Zvicra, një te Gjermania e një te Austria. Kampionati Botëror për futbollistët deri në 17 vjet që po mbahet në Katar, nuk dallon shumë nga ngjarjet e tjera të rëndësishme të futbollit për të rinj. Në përfaqësuese evropiane për grupmosha të reja thuajse vazhdimisht ka futbollistë shqiptarë apo me rrënjë shqiptare.
Në Katar megjithatë u shqua njëri prej tyre – Hasan Deshishku. Ai është prej lojtarëve më të mirë tek Austria, që ka arritur sukses historik. Të enjten Austria do të luajë me Portugalinë në finale të Kampionatit Botëror. Dhe shpresat për sukses të Austrisë do të jenë edhe te shkëlqimi i Deshishkut në sulm.
Hasan Deshishku është i lindur në Austri, por është djalë i familjes Deshishku nga Barileva e Prishtinës. Babai i tij u largua nga Kosova në fillim të viteve nëntëdhjetë dhe u vendos në Austri.
Deshishku zhvillimin e ka bërë dhe është duke e bërë tek Austria e Vjenës. Shquhet për numrin e madh të golave që i shënon. Për shembull për skuadrën U16 i kishte 35 gola në 31 paraqitje. Për përfaqësuesen U15 të Austrisë e ka shënuar një gol në katër paraqitje. Për U16 të Austrisë ka dy gola në pesë paraqitje. Dhe për U17 tani ka arritur në shifrën e shtatë golave në 18 paraqitje. Dhe ka arritur në finale të Kampionatit Botëror.
Është i padiskutueshëm në formacionin startues të Austrisë. Në gjysmëfinalen e së hënës ndaj Italisë, të cilën Austria e fitoi 2:0, Deshishku luajti në anën e djathtë të sulmit. Luan edhe në qendër të sulmit. Tashmë i ka katër gola në Botëror. Ka shënuar gol edhe ndaj Anglisë në një të tetën e finales, në fitoren 4:0. Në çerekfinale Austria e eliminoi Japoninë.
Gjatë Botërorit, FIFA i kushtoi një shkrim të gjatë Deshishkut. Shkroi që ai është në zemër të sulmit shpërthyes të Austrisë. Deshishku tregoi që frymëzohet nga futbollistët brazilianë.
“Më pëlqen t’i shikoj Vinicius Jr dhe Neymarin”, ka thënë Deshishku për faqen zyrtare të FIFA-s. “Më pëlqejnë shumë veprimet e Neymarit në fushë. E shijoj stilin brazilian ‘jogo bonito’”.
Ai është i kënaqur se si po paraqitet Austria U17 në Botëror.
“Me këtë ekip ne luajmë futboll ofenziv dhe shënojmë gola. Ne thjesht kënaqemi duke luajtur së bashku”.
Golin ndaj Anglisë, Deshishku e kishte shënuar duke futur topin mes këmbëve të mbrojtësit e më pas edhe mes këmbëve të portierit.
“Mendoj që ishte gol i bukur. E dimë që jemi shumë të mirë, që jemi ekip i fortë, familje. Mund të fitojmë çdo ndeshje. Shpresoj se do ta fitojmë finalen”, ka thënë Deshishku.
Ai është lavdëruar edhe nga bashkëlojtarët, për aftësitë e driblimit dhe gjuajtjes. Por edhe për golat që shënon.
Paraqitjet e Hasanit në Katar, po përcillen me vëmendje edhe në Barilevë. Babai dhe axhallarët e Hasanit kanë luajtur për skuadrën e Barilevës. E gjithë familja e kishte pasion futbollin.
“Natyrisht që si familjarë jemi shumë krenarë dhe shumë të lumtur për sukseset e Hasanit. Vetë kualifikimi në Botëror dhe përfshirja në listë ishte sukses i rëndësishëm. Por ai po dëshmohet gjithnjë e më shumë se është prej lojtarëve më me ndikim në ekip. Tani është në finale dhe shpresojmë se nga Katari do të kthehet si kampion i botës”, ka thënë axha i Hasanit, Ardian Deshishku, të martën për KOHËN.
Deshishku vjen rregullisht për pushime në Kosovë. Lidhjen me vendin e origjinës e ka të fortë. Futbollist është edhe vëllai i Hasanit, Albini, që vjet e ka pësuar një lëndim të rëndë dhe ende po e merr veten.
Momenti megjithatë është i Hasan Deshishkut. Të enjten ai mund të bëhet kampion i botës në futboll.