Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Bundesliga shkruan për Osmanin, parashikon të tjera paraqitje të tij për Bayernin

Erblin Osmani

Gati papritur, talenti i madh i futbollit, Erblin Osmani, është bërë emër i njohur në Gjermani.

Me vetëm 16 vjet e 306 ditë ai është bërë lojtari i dytë më i ri në histori të Bayernit që ka luajtur në nivelin më të lartë të futbollit gjerman.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vetëm Paul Wanner debutoi më i ri se lojtari me prejardhje nga Kosova, në Bundesligë me Bayernin. Wanner kishte debutuar me 16 vjet e 15 ditë.

Osmani e zëvendësoi Leon Goretzkan në minutën e 87-të në ndeshjen ndaj Union Berlinit, të shtunën. Bayerni shkëlqeu për fitore 4:0, ndërsa Osmani, ndonëse kaloi pak momente në fushë, shfaqi vetëbesim dhe personalitet. Dhe dëshmoi pse Vincent Kompany ia besoi debutimin.

Faqja zyrtare e Bundesligës i ka kushtuar një shkrim Osmanit. Për Erblinin kanë shkruar edhe mediumet më të mëdha gjermane.

“Osmani, reprezentues i të rinjve të Gjermanisë, ka luajtur për Bayernin U17 dhe U19 këtë edicion, para se të përfshihej në ekipin e trajnerit Kompany për herë të parë të shtunën”, ka shkruar faqja e Bundesligës.

Për Osmanin mund të ketë të tjerë minuta deri në fund të kampionatit.

“Me Bayernin të vendosur për ta mbrojtur titullin dhe ndeshjet që vijnë me shpejtësi në të tri frontet, Osmani dhe shokët e tij do të kërkojnë më shumë minuta te lideri i Bundesligës, para përfundimit të sezonit”, shkruan “bundesliga.com”.

Bayerni është në rrugë të mirë për ta siguruar titullin e kampionit të Gjermanisë. Pas 27 xhirosh i ka 70 pikë, nëntë më shumë se Borussia Dortmundi i vendit të dytë.

Deri në fund të kampionatit gjerman janë edhe plot shtatë xhiro.

Tashmë është e qartë që rekordi për më së shumti gola në një kampanjë të Bundesligës do të bie. Rekordin e mban po Bayerni me 101 gola, të shënuara gjatë edicionit 1971/72. Gjiganti bavarez tashmë i ka 97 gola këtë edicion. Ndërkohë i ka pranuar vetëm 25.

Bavarezët janë edhe në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, ndërsa më 22 prill përballen me Bayer Leverkusenin. Bayerni është prej favoritëve edhe në Champions. Më 7 e 15 prill përballet me Real Madridin në çerekfinale.

Bayerni po ju beson shumë të rinjve, përkatësisht lojtarëve të rritur në Akademinë e klubit. Dhe për këtë lëvdata të mëdha po merr trajneri Vincent Kompany.

Lojtarë si Lennart Karl, Wisdom Mike dhe Maycon Cardozo tashmë po bëjnë emër te Bayerni. Dhe në listën e debutuesve u shtua edhe Osmani.

“Ky zhvillim nuk është rastësi, por pjesë e një plani të qartë. Lojtarët e rinj rregullisht shtohen në skuadër apo promovohen në stërvitjet e ekipit të parë. Disa e kanë shfrytëzuar në mënyrë impresive mundësinë dhe kanë fituar përvojë të vlefshme në nivelin më të lartë”, ka shkruar “fcbinside.de”, faqe e afërt me Bayernin.

Janë 11 lojtarë të rinj që kanë fituar debutimin nën udhëheqjen e Kompanyt.

“Me lojtarët e rinj ju e shihni që puna e madhe shpaguhet. Kur lojtarët nga Akademia jonë dalin në pah, ky është tregim i shkëlqyer për Bayernin”, ka thënë drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl.

Mediumi i fuqishëm gjerman, Kicker, ka shkruar se gjëra të jashtëzakonshme po bëhen të zakonshme te Bayerni këtë edicion. Dhe ka përmendur debutimin e dy 16-vjeçarëve brenda një jave.

“Filip Paviq, që i bëri 16 vjet vetëm në janar, u bë debutuesi më i ri i Bayernit në Champions të mërkurën. Erblin Osmani u bë lojtari i dytë më i ri i Bayernit që luan në Bundesligë. Osmani, vendas i Munihut, që është te Bayerni që nga viti 2017, pra që nga mosha nëntëvjeçare, u aktivizua në minutën e 87-të në fitoren bindëse ndaj Union Berlinit, së bashku me Maycon Cardozon, që është shtatë muaj më i madh dhe kishte debutuar në ndeshjen e kaluar në shtëpi”, shkruan Kicker.

Trajneri Kompany ka mbajtur me këmbë në tokë lojtarët e talentuar.

“Djemtë kanë arritur diçka, por ende kanë gjithçka për të bërë”, ka thënë belgu. Ai e di që jo të gjithë këta të talentuar do të kenë të ardhshme te Bayerni.

“Por është e mundur”, ka shtuar Kompany.

Një paraqitje në Ligën e Kampionëve apo në Bundesligë është e mirë por jo garanci për karrierë të madhe, ka komentuar Kicker.

Megjithatë debutimi në moshën 16-vjeçare dëshmon potencialin e mahnitshëm të Osmanit.