Futboll

“Boshti gjerman” prapa suksesit historik të Kosovës

kos

Një gjerman në stol. Dhe të paktën nga një futbollist që bën karrierë në Gjermani në secilin repart në fushë.

Rezultati: suksesi bindshëm më i madh i Kosovës deri më tani.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll shkroi histori të shtunën mbrëma. Me fitoren 2:0 ndaj Sllovenisë në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë, Kosova e ka të garantuar plejofin për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Me fitore 6:0 të martën ndaj Zvicrës, Kosova kualifikohet direkt në Botëror. Derisa ky rezultat vlerësohet i paarritshëm, paraqitja në plejof është sukses historik.

Kosova në mars luan në gjysmëfinale të plejofit e me fitore edhe në finale të plejofit. Nëse i fiton të dy ndeshjet, kualifikohet në ngjarjen më të madhe të futbollit. Rruga është ende shumë e gjatë, por vetë paraqitja në plejof është e arritur e madhe.

Selektori Franco Foda vlerësohet shumë meritor për këtë. 59-vjeçari mori drejtimin e Kosovës më 17 shkurt të vitit të kaluar. Vlerësohet se solli disiplinën që Kosovës i ka munguar. Dhe që ka kontribuuar shumë në sukses. Foda mori disa vendime, ndër të tjera duke i dënuar në një moment tre prej lojtarëve kryesorë, që i sollën përkrahje të madhe të tifozëve të Kosovës. Por edhe respektin brenda ekipit dhe në federatë. Disiplina taktike e Kosovës është si asnjëherë më parë, njëjtë si forca sulmuese dhe stabiliteti në mbrojtje e mesfushë.

Disa rrethana shkuan në favor të Fodës, falë punës së drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës por edhe të vetë teknikut gjerman. Lojtarë cilësorë janë bashkuar me përfaqësuese në muajt e fundit.

Elvis Rexhbeçaj u bashkua vjet, ndërsa vjet u kthye edhe Fisnik Asllani. Këtë vit janë bashkuar edhe Leon Avdullahu e Albian Hajdari.

Rastësi apo jo, të gjithë këta bëjnë karrierë në Gjermani. Dhe ndikimi i tyre në lojën e Kosovës është shumë i madh.

Mbrojtja e Kosovës më nuk mendohet pa Albian Hajdarin. Mesfusha tani përbëhet nga Leon Avdullahu e Elvis Rexhbeçaj, dyshja e Bundesligës. Fisnik Asllani, po ashtu i Bundesligës, është partner i ri i Vedat Muriqit në sulm. Dhe Asllani shënoi gola në dy fitoret e fundit, ndaj Suedisë dhe Sllovenisë, që ia siguruan Kosovës plejofin.

“Edhe po të ëndërroja nuk do ta mendoja kështu. Jam shumë, shumë i lumtur. Besoj që goli na ndihmoi të hyjmë sa më mirë në lojë dhe ndihem jashtëzakonisht krenar. Edhe atmosfera ka qenë e mrekullueshme. Të gjithë shqiptarët në stadium na dhanë energji shtesë”, ka thënë Asllani pas fitores në Lubjanë.

Ai së bashku me Avdullahun dhe Hajdarin luajnë për Hoffenheimin. Rexhbeçaj është tek Augsburgu.

“Po ndihemi shumë mirë. Prej fillimit ishte performanca e mirë. Nuk ishim të ngarkuar pasi e kemi ditur se Sllovenia duhet të rrezikojë më shumë. Kështu që e kemi ditur se do ta kemi ne lojën në dorë”, ka thënë mesfushori Avdullahu.

“Kam pasur ndjenjën që jemi përgatitur shumë mirë për ndeshjen kundër Sllovenisë. Jam i lumtur që kemi shkruar histori me Kosovën”, ka thënë Hajdari.

Foda vlerësohet meritor që edhe Florent Muslija më në fund është bërë i rëndësishëm për Kosovën. Ai po luan prapa sulmuesve dhe po ka paraqitje të mira. Për shumë kohë Muslija kishte rol të vogël te Kosova, ndërsa ka pasur edhe telashe në nivel klubesh. Por tekniku gjerman ka gjetur pozitën e duhur për Muslijën, që po ashtu është startues i rregullt në ndeshjet e fundit. Muslija këtë edicion po luan për Fortuna Dusseldorfin në Bundesliga 2. Është i huazuar nga Freiburgu.

Kosova nisi kampanjën me humbje 4:0 nga Zvicra në Basel. Përzgjedhësi Foda reflektoi menjëherë dhe sistemin 4-4-2 e ndërroi në 5-3-2. Dhe rezultatet erdhën. Mbrojtja e ngjeshur solli dy fitore me Suedinë dhe një fitore e një barazim me Slloveninë. Derisa në Prishtinë, Sllovenia kishte më shumë raste, të shtunën në Lubjanë lojtarët e Kosovës dominuan në fushë.

“Të gjithë ishin fantastikë. Jam shumë i lumtur për ekipin dhe këtë fitore të rëndësishme. Tani duhet të rigjenerohemi dhe të fokusohemi te ndeshja e së martës ndaj Zvicrës. Pse jo, të synojmë një tjetër fitore. Kë do ta preferoja kundërshtar në plejof? Nuk mund të flas aktualisht për ndeshjet e plejofiit. Ideja dhe mendimet e mia aktualisht janë të fokusuar për ndeshjen e së martës kundër Zvicrës. Aty është i gjithë fokusi ynë dhe pas asaj ndeshjeje, do të fillojmë të mendojmë për ndeshjet e marsit. Do të shohim se kush do të jenë kundërshtarët”, ka theksuar Foda.

Një rezultat i favorshëm të martën do të bënte që entuziazmi të jetë edhe më i madh për ndeshjet vendimtare të marsit.