Kosova kishte dukshëm më tepër përkrahje se Sllovenia në ndeshjen e së shtunës në Lubjanë. Për këtë foli edhe mbrojtësi i Sllovenisë, Jaka Bijol. Ai kishte paraqitje të zbehtë, si të gjithë lojtarët e Sllovenisë.
Kosova fitoi 2:0 dhe siguroi të paktën plejofin.
I pyetur për dominimin e tifozëve të Kosovës në stadiumin në Lubjanë, Bijol ka thënë: “Mendoj se këto gjëra është vështirë të rregullohen. Është e natyrshme që edhe ne ishim të dëshpëruar për këtë po ashtu. Gjitha meritat për tifozët e Kosovës që erdhën në numër kaq të madh, por është dëshpëruese kur dëgjon fishkëllima gjatë himnit. Është e qartë se shumë prej tyre jetojnë në Slloveni dhe Sllovenia u ka dhënë shumë. Të paktën në atë moment ata kanë mundur të tregojnë më shumë respekt. Gjithsesi, ata kanë bërë tifo për ekipin e tyre. I falënderoj gjithë ata që kanë anuar për ne në stadium, ndonëse ne nuk jemi paraqitur mirë”.
Bijol ka thënë se është e dhimbshme që Sllovenia u mposht në “Stozhice”, që ishte si “fortesë” për këtë përfaqësuese për shumë vjet.
Futbollisti tjetër slloven, Vanja Drkushiq ka theksuar se që gjatë ngrohjes për ndeshje e kanë kuptuar se tifozët e Kosovës do të dominojnë.
“Ishte mbrëmje e vështirë nga të gjitha anët”, ka thënë Drkushiq.
Se Sllovenia nuk dështoi vetëm në fushë e ka pranuar edhe Tomi Horvat.
“Nuk ishte atmosfera e duhur. Mendoj se tifozët tanë duhet gjithnjë të dominojnë në Slloveni, por kjo nuk ndodhi këtë herë”, ka thënë Horvat.