Afro dy muaj më parë Etrit Berisha u transferua te Hackeni, kurse portieri shtatlartë ishte pa klub për nëntë muaj.
Tani Berisha është kthyer në hero të skuadrës elitare të Suedisë. Ai priti dy penallti dhe realizoi një tjetër në triumfin në Kupën e Suedisë ndaj Malmos.
Ndeshja finale pas 120 minutave u mbyll pa gola dhe merita për këtë pati portieri me shumë përvojë. Berisha ka përvojë sidomos në futbollin italian te skuadra si Lazio, Atalanta, SPAL-i, Torino e Empoli.
Berisha prej kohësh është shquar me pritje të mira të penalltive dhe realizim të tyre.
Por cili është tregimi që fshihet prapa këtyre sukseseve të portierit prishtinas?
Berisha bën të ditur se kjo është arritur falë Henrik Rydstromit, trajnerit të Malmos.
Berisha ka qenë bashkëlojtar me Rydstormin te skuadra e Kalmarit shumë kohë më parë.
Për trajner e kishin Nanne Bergstrandin.
“Këto i kam mësuar nga Henke. Ai i gjuante penalltitë te Kalmari dhe pas një ndeshjeje që e luajtëm kundër Malmos, ishte thuajse e njëjta situatë si kjo e finales. Ka qenë Nanne i cili në atë kohë ka thënë se duhet të bëhesha ekzekutues i penalltive pasi kisha shënuar shumë gola në stërvitje. Dhe ai tha se këtë gjë mund ta bëj shumë mirë. Kam shkuar para, shënova dhe e fituam atë ndeshje. Ishte thuajse e njëjta gjë si sot”, ka deklaruar pas finales së Kupës, Etrit Berisha.
Nuk kanë qenë vetëm tifozët e Hackenit që e përgëzuan Berishën për paraqitjen në finalen e Kupës.
Ishte edhe trajneri i Malmos, Rydstrom, që e vlerësoi shumë 36-vjeçarin dhe e quajti hero të Kupës.
Është një epitet i cili i pëlqen edhe portierit.
“Henke është model për mua dhe për të gjithë futbollistët të cilët e njohin atë. Ai ka qenë kapiteni im dhe ndoshta më i miri që e kam pasur në gjithë karrierën time. Është pak keq që luajtëm kundër njëri-tjetrit në finale. Por, këtë nuk e kam menduar shumë gjatë ndeshjes. Kam provuar vetëm të fokusohem në pritjen e penalltive dhe në situata të tjera”, thotë Berisha.
Me triumfin në Kupë Hackeni do të luajë në kualifikimet e Ligës së Evropës.
“Kjo është gjë shumë e mirë. Është gjëja më e mirë që kam mundur ta bëj për klubin dhe jam i lumtur sepse kemi lojtarë shumë të mirë. Mendoj se do të bëjmë mirë në ndeshjet në Evropë dhe jam i lumtur”, ka përfunduar Berisha.