Para gati dy muajsh, Etrit Berisha iu bashkua Hackenit suedez, pas gati një viti pa klub. Por të enjten, do të jetë portier i parë te Hackeni që luan në finale të Kupës së Suedisë kundër Malmos. “Sigurisht që është mirë të jesh në finale. Por ekipi e ka bërë punën më parë. Në fund të fundit, vetëm finalja ka rëndësi, nëse e fiton”, thotë Berisha për faqen e klubit.
Berisha ishte pjesë e Kalmarit nga viti 2008 deri në vitin 2013. Ai në vitin 2013 u shpall portieri i vitit në Allsvenskan, përpara se të largohej nga Suedia. Iu bashkua Lazios. Në Serie A qëndroi dhjetë vjet, ndërsa pati mbi 100 ndeshje për pesë klube të ndryshme. Tani Berisha ka synim Kupën e Suedisë me Hackenin.
Ndonjëherë finalet vendosen edhe nëpërmjet penalltive. Berisha njihet për pritje të penalltive. Por edhe për realizimin e tyre. Megjithatë, portieri i cili në të kaluarën ka qenë i pazëvendësueshëm te Shqipëria, uron që ekipi tij ta fitoj gjatë kohës së rregullt finalen kundër Malmos.
“Shpesh përpiqem të mos mendoj për këtë paraprakisht. Do të isha i lumtur të përfundonte gjatë 90 minutave. Vetëm nëse rezultati është i barabartë gjatë kohës së rregullt, atëherë mund të mendosh pak për penalltitë”, është shprehur Berisha.
Megjithatë, atij i pëlqejnë penalltitë.
“Nëse vjen momenti ku duhet të ekzekutoj penallti, ndihem i gatshëm gjithmonë. Por unë dhe pjesa tjetër e ekipit duam vërtetë të mbyllim çështjen e fituesit gjatë kohës së rregullt. Luajmë për të fituar”, ka thënë Berisha.
Berisha gjatë viteve të tij të fundit në Kalmar, i gjuante edhe penalltitë në disa raste .Në Kupë të Suedisë në vitin 2011 kundër Malmos, ai priti dy penallti dhe shënoi vetë golin vendimtar.
Për Hackenin është hera e pestë në nëntë vjet që luan në finale të Kupës. Ndeshja finale e Kupës luhet të enjten nga ora 15:00 në stadiumin Eleda në Malmo.