Futboll

Berisha kthehet te Vikingu

Veton Berisha

Veton Berisha të premten e kaluar i ndau rrugët me skuadrën e Moldes. Pas një marrëveshje të dyanshme, Berisha e shkëputi kontratën me klubin norvegjez. 

Qendërsulmuesi karrierën do ta vazhdojë sërish në Norvegji. Ai është kthyer te skuadra e Vikingut. 

Vikingu të martën e ka zyrtarizuar transferimin e 31-vjeçarit. Vëllai i Valon Berishës me Vikingun ka nënshkruar kontratë dyvjeçare.

“Është absolutisht fantastike të kthehem. Gjithmonë më ka pëlqyer të luaj për Vikingun dhe këtu kam luajtur futbollin tim më të mirë. E dua këtë qytet, këtë klub dhe të gjithë mbështetësit tanë”, u shpreh Berisha për faqen zyrtare të Vikingut. 

Ai te Vikingu ka luajtur edhe për dy periudha të ndryshme. Fillimisht luajti nga viti 2011 deri në vitin 2015. Më pas me Vikingun u paraqit edhe nga viti 2020 deri në vitin 2022.

Largimi i tij gjatë edicionit 2021/22 shkaktoi reagime të shumta te tifozët e Vikingut. 

Ai thotë se ka mësuar nga gabimet e tij. 

“Kam mësuar nga gabimet e mia dhe thjesht duhet të marr përgjegjësi për mënyrën se si u solla kur u largova nga klubi herën e fundit. Deklaratat e mia dhe mënyra se si u bënë nuk ishin të mira. Nuk pres që të gjithë të më falin dhe e kuptoj plotësisht këtë. Por premtoj se do të bëj gjithçka që mundem për këtë klub”, shtoi sulmuesi me përvojë.