Daut Maxhuni ka përjetuar shumëçka në karrierën me Vushtrrinë - titullin kampion, triumfin në Superkupë, rënien e ngjitjen në Superligë.
Kapiteni i Vushtrrisë do ta ketë tjetër barrë mbi supe në ndeshjen e barazhit me Llapin.
Vushtrria – Llapi luhet të shtunën nga ora 16:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Fituesi luan në elitën kosovare të futbollit në edicionin e ardhshëm.
Maxhuni kërkon edhe një herë tjetër vend me Vushtrrinë në Superligë. Dy herë në të kaluarën e kishte siguruar elitën, ndërsa tani synon kthimin pas pesë vjetësh.
Vushtrria ishte në pozitë të njëjtë edhe në edicionin 2021/22, por u mposht nga Malisheva. Tani përballë do ta ketë Llapin, finalistin e Kupës së Kosovës.
Të dy skuadrat synojnë që sezonin ta shpëtojnë në ndeshjen përmbyllëse.
“Është vetëm një ndeshje dhe jemi përgatitur maksimalisht. Besojmë shumë pasi të gjithë e dinë se e kemi mbështetjen e një qyteti, sidomos të tifozëve ‘Forca’, të cilët na kanë mbështetur nga dita e parë”, ka thënë Maxhuni të premten për KOHËN. Futbollisti i krahut ka qenë prej më të mirëve në edicionin aktual te Vushtrria me nëntë gola e 11 asistime.
34-vjeçari ishte pjesë e Vushtrrisë në kampanjën 2013/14, që përfundoi me titullin historik. Skuadra në atë kohë udhëhiqej nga trajneri Ismet Munishi. Munishi tani e drejton Dukagjinin, skuadrën me të cilën Armend Dallku shkroi histori. Trajneri vushtrrias e kishte siguruar fillimisht inkuadrimin në Superligë me klinasit, në vitin 2021. Më pas kishte siguruar edhe kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Trajneri Dallku, bashkë me ndihmësit Artan Luzi dhe Agon Ramadani, tani janë në krye të Vushtrrisë dhe misioni është i njëjtë – ngjitja në Superligë.
Vushtrria në Grupin B të Ligës së Parë përfundoi në pozitën e dytë me 67 pikë. E fitoi barazhin e Ligës së Parë, duke fituar ndaj Lirisë me rezultatin 3:1 javën e kaluar. Liria ishte e dyta në Grupin A. Direkt nga Liga e Parë kalimin në Superligë e kanë siguruar Drenica dhe Prishtina e Re.
Llapi në këtë edicion të Superligës ka pasur formë të luhatshme. Në javët e fundit hyri në garë për Evropë, por përfundoi në pozitën e tetë me 47 pikë. Nga Superliga direkt ranë Suhareka me 43 pikë dhe Feronikeli 74 me 15 pikë. Si i teti në fund, Llapi mbetjen në Superligë e kërkon përmes barazhit.
“Përgatitjet për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit vazhdojnë me intensitet të lartë”, ka shkruar Llapi të premten në faqen zyrtare.
Ditë më parë nga Llapi shkruhej se “me ndeshjen ndaj barazhit do t’i vijë fundi njërit prej edicioneve më të vështira dhe larg pritshmërive tona”.
Llapi ka kërkuar edhe përkrahjen e madhe të tifozëve.
“Kjo është një përballje ku fitorja është qëllimi i vetëm dhe më shumë se kurrë na nevojitet përkrahja juaj. Ejani të gjithë në ‘Fadil Vokrri’ dhe bëhuni lojtari ynë i 12-të. Me mbështetjen tuaj të fuqishme, të tregojmë që pavarësisht sfidave, Llapi nuk dorëzohet kurrë”, ka shkruar klubi llapjan.
Llapi u kthye në Superligë në edicionin 2015/16. Me trajnerin Tahir Batatina i ka fituar dy trofe të Kupës së Kosovës. Në finale ishte edhe këtë edicion, por u mposht nga Prishtina.