Superliga

Ballkani synon ta mbajë vendin e parë edhe pas udhëtimit të vështirë

Feronikeli - Ballkani

Kampioni i dy edicioneve të fundit në Superligën e Kosovës në futboll, Ballkani, e kishte humbur vendin e parë në tabelë para dy xhirove. Por, javën e kaluar, falë humbjes së Llapit në derbi nga Drita dhe fitores 2:0 ndaj Lirisë, Ballkani doli sërish në krye të tabelës.

Skuadra nga Suhareka tani kryeson me 56 pikë, dy më shumë se Llapi e Drita. Te Ballkani synojnë që të qëndrojnë në krye deri në fund të kampanjës, për ta kremtuar titullin e tretë rresht. Kjo megjithatë nuk është e lehtë. Ballkanin e presin edhe shumë sfida, e para prej tyre menjëherë të shtunën kur luan në Drenas ndaj Feronikeli 74.

Ndeshja Feronikeli 74 – Ballkani fillon në orën 15:00, kurse i takon xhiros së 29-të të kampionatit të Kosovës.

Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, është optimist para udhëtimit të vështirë për në Drenas. Në fitoren ndaj prizrenasve në xhiron e kaluar, mesfushori Kuç kishte kontribuuar me gol të shënuar.

Feronikeli 74 vazhdon garën e fortë për mbijetesë. Zë pozitën e tetë, përkatësisht të barazhit, me 30 pikë, aq sa ka edhe Gjilani në vendin e shtatë. Në pozitën e nëntë, të parafundit, është Fushë Kosova me 20 pikë, ndërsa në vendin e fundit është Liria me vetëm 10 pikë.

Kuç, futbollisti cilësor e me shumë përvojë, ka thënë të premten për KOHËN se Ballkani duhet të ketë kujdes ndaj skuadrës nga Drenasi. Feronikelin 74 reprezentuesi i Malit të Zi e vlerëson kundërshtar shumë të vështirë kur luan në stadiumin “Rexhep Rexhepi”.

“Jemi të sigurt se na pret një lojë e vështirë. Feronikeli po lufton për mbijetesë dhe është gjithmonë i papërshtatshëm kur luan në shtëpi. Por gjithsesi po luftojmë për një objektiv më të lartë dhe duhet të jemi në nivel për të mbrojtur titullin. Ka ende shumë ndeshje përpara. Nëse të gjithë luajnë në maksimum deri në fund, kampionati do të jetë interesant”, ka thënë Kuç.

Te skuadra e Feronikelit 74, një prej më të dalluarve gjatë këtij edicioni ka qenë lojtari i krahut, Jakup Berisha.

Shkupjani ka katër gola të shënuar e po aq asistime deri tani. Për të dhe gjithë ekipin drenicas, objektivi është të merren pikë deri në fund të kampionatit.

“E dimë që do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Për ne çdo ndeshje deri në fund të sezonit do të jetë si finale dhe do të luftojmë për tri pikë. E njohim të gjithë Ballkanin për kualitetin që e ka dhe e dimë që lufton për titull. Por, ne po ashtu jemi në situatë ku secila pikë është e vlefshme. Ndaj Ballkanit synojmë rezultat pozitiv, sepse duam dhe shpresojmë që ta fitojmë garën për mbijetesë”, është shprehur Berisha.

Feronikeli 74, i drejtuar nga ish-lojtari i Premier Leagues, Shefki Kuqi, ka pasur formë të luhatshme këtë vit. U eliminua fillimisht nga Kupa e Kosovës. Ka pësuar pesë disfata, barazoi në tri ndeshje, ndërsa ka fituar vetëm dy ballafaqime.

Edhe Ballkani nuk i ka pasur rezultatet më të mira.

Në fillim të vitit humbi në finale të Superkupës nga Prishtina, por ka vazhduar garën për Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit. Këtë vit, Ballkani ka fituar vetëm katër ndeshje në elitë, ka pësuar dy disfata dhe ka barazuar në katër ndeshje.

Në gjysmëfinale të Kupës, Ballkani e fitoi ndeshjen e parë ndaj Suharekës, ndërsa në cilësinë e vendësit luan më vonë këtë muaj.

Të shtunën në program janë edhe dy ndeshje të tjera të xhiros së 29-të, po ashtu me vlerë të madhe. Drita ka punë të lehtë, të paktën në letër, me Lirinë në terrenin me bar sintetik në Gjilan. Kurse Prishtina në “Sami Kelmendi” të Lipjanit ballafaqohet me Gjilanin.

Të dielën luhen ndeshjet Dukagjini – Llapi dhe Fushë Kosova – Malisheva.

Superliga –29

E shtunë (15:00)

Feronikeli 74 – Ballkani

Drita – Liria

Prishtina – Gjilani

E diel (15:00)

Dukagjini – Llapi

Fushë Kosova – Malisheva