Futboll

Asllani e matur pas fitores: Evropiani është më ndryshe

Kosovare Asllani

Suedia fitoi bindshëm ndaj Danimarkës, kundërshtares së parë në Evropianin e futbollisteve që do të mbahet në Zvicër nga 2 deri më 27 korrik.

Suedia e mposhti Danimarkën të martën mbrëma me rezultat 6:1, në ndeshjen e fundit të Grupit 4 të Ligës A të Ligës së Kombeve. Suedia e fitoi grupin me 12 pikë dhe u kualifikua në gjysmëfinale.

Suedia më 4 korrik e luan ndeshjen e parë në Evropian, kundër Danimarkës në “Stade de Geneve”.

Kapitenia e Suedisë, Kosovare Asllani, ka thënë se në Evropian do të jetë ndryshe.

“Të fitosh në këtë mënyrë sigurisht që rritet besimi. Kështu duam të luajmë. Kjo është Suedia. Por ne e dimë që Evropiani është më ndryshe”, ka thënë Asllani. “Shënuam shumë gola, ishim afër njëra-tjetrës në lojën e presingut. Fituam po ashtu shumë duele fizike. Është kënaqësi të luash kështu futboll”.

Në grup me Suedinë dhe Danimarkën janë edhe Gjermania dhe Polonia.

Te nikoqirja e Evropianit, Zvicra, e grumbulluar ishte Riola Xhemaili. Gjasat janë të mëdha që Riola të jetë pjesë e Zvicrës për Evropian.