Futbollistët e grupmoshës U21 të Kosovës janë shprehur të gatshëm për ndeshjen e radhës kualifikuese për “Euro 2025”.
Kosova U21 më 10 shtator luan në udhëtim tek Izraeli, në ndeshjen që zhvillohet në Hungari.
Izraeli ka vendosur që në Gyor t’i zhvillojë duelet si vendëse, për shkaqe sigurie.
Kosova U21 në Grupin D është në vendin e katërt me nëntë pikë pas shtatë ndeshjeve.
Izraeli në gjashtë ndeshje nuk ka marrë asnjë pikë dhe zë pozitën e fundit.
Lidere është Gjermania U21 me 19 pikë në shtatë ballafaqime të luajtura.
E ka vetëm një barazim me Kosovën.
“Dardanët” e përzgjedhësit Afrim Tovërlani kanë punuar edhe të mërkurën në Kampin Nacional në Hajvali.
FFK-ja ka shkruar se atmosfera është pozitive dhe se lojtarët janë të përkushtuar për arritjen e objektivit në këtë sfidë.
“Këto tri ditë kanë qenë shumë të mira për ne. Atmosfera është jashtëzakonisht pozitive dhe kemi analizuar detajisht ndeshjen e fundit kundër Gjermanisë, me qëllim që të mos përsërisim gabimet kundër Izraelit. Besoj fuqishëm se nga Hungaria do të kthehemi me fitore”, ka thënë Fatjon Bunjaku, sulmues i Malishevës.
Edhe mesfushori i Malishevës, Etnik Brruti, beson në fitore.
“Tri ditët e fundit kanë shkuar shumë mirë. I gjithë grupi dhe stafi po punojnë maksimalisht. Atmosfera është e shkëlqyer dhe jemi të bindur se në ndeshjen kundër Izraelit meritojmë tri pikët dhe do të japim gjithçka për t’i arritur ato”, deklaroi Brruti.