Flamuj të Serbisë janë shfaqur nga tifozët e kampiones së Rumanisë për futbolliste, Farul Constantas në ndeshjen ndaj kampionies së Kosovës, Mitrovica.
Ndeshja po luhet në qytetin rumun, Constanta. Është gjysmëfinale e një prej shumë mini-turneve të raundit të parë kualifikues të Championsit.
Mediumet në Rumani kanë raportuar se ndeshja në mes futbollisteve të Farul Constantas dhe atyre të Mitrovicës është ndërprerë për disa minuta gjatë pjesës së parë, saktësisht në minutën e 27-të për shkak të shfaqjes së flamurit serb.
Gazeta rumune “GSP” e ka cilësuar skandal. “Skandal i madh në ndeshjen e Farulit në Ligën e Kampionëve. Flamujt largohen për shkak të mesazhit me konotacion politik”. Kështu është titulli i shkrimit i gazetës rumune.
Më pas ka përshkruar edhe gjithë situatën që ndodhi në tribuna dhe vendimin e delegates së ndeshjes.
“Ndërprerja e ndeshjes nga gjyqtarja estoneze, Reelika Turi ka revoltuar tifozët, të cilët nisën të brohorasin ‘Kosova është Serbi’. Ka ndërhyrë edhe delegatja e ndeshjes, Ewa Gajweska nga Polonia. Pas disa diskutimeve në të cilat ishin përfshirë edhe zyrtarët e klubit, u mor vendimi që flamuri i Serbisë të largohej dhe ndeshja rifilloi. Tifozët u bindën, por gjatë largimit nga tribunat, vazhduan të këndonin dhe të bënin gjeste të turpshme”, shkruan “gsp.ro”.
Pjesa e parë u mbyll pa gola.