Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

“Zjarri” bashkon fëmijët në “Dodonë”

Do kohë për t’u ngritur perdja, përderisa në foaje, zhurmshëm fëmijët presin të futen në sallë. Kur ndizen dritat, sytë drejtohen krejt te skena, publiku bie një grimë në qetësi. Në teatrin “Dodona” që edhe tre vjet feston katër dekada, një pamje e tillë është gati rituale tashmë, e shkas për këtë, të shtunën ka qenë premiera e shfaqjes “Zjarri” në regji të doajenes, Melihate Qena. Fëmijë të moshave të ndryshme, duke filluar nga ata që ende rrinin mbi prehrin e nënës, e deri tek ata që tashmë vijnë edhe vetë në teatër, janë pjesë e publikut besnik. Siç rëndom vepron ky teatër, shfaqja u dha në dy herë radhazi. Në të dyja rastet salla ka qenë plot.

“Zjarri” rrëfen historinë e vajzës së vogël me emrin Lena. Kur e ëma e saj niset për të blerë diçka, e këshillon të bijën që të mos ia hapë derën stufës. Por, Lena nuk arrin t’u rezistojë lutjeve të zjarrit, por e pëson. Zjarri ai kaplon tërë shtëpinë.

Aktorja Roza Berisha ka thënë se është kënaqësi interpretimi para fëmijëve.

“Meqenëse në teatrin e kukullave unë luaj qe 30 e ca vjet për mua është kënaqësi e madhe, sepse mendoj që publiku më i sinqertë për me pa një shfaqje janë fëmijët sepse ata nuk mund t’i mashtrosh të thuash: ‘po mirë ishte’. Ata ose e pëlqejnë ose s’e pëlqejnë”.

“Dodona” ka në repertor edhe shfaqjet për të rritur, por ndryshe janë të shtunat.

“Ndoshta është fat për prindërit, që shfaqjet e fëmijëve janë në fundjavë dhe me gjasë ata janë më të lirë. Shfaqjet për të rritur janë zakonisht gjatë ditëve të punës kështu që ndoshta pasi ta përfundojnë punën edhe janë të lodhur e përtojnë të vijnë në teatër, por e shtuna, shfaqjet për fëmijë janë plot dhe normalisht kjo për ne është kënaqësi. Por, po, ka shumë interesim”, tha aktorja Vjosa Tasholli.

Ermal Sadiku i cili tash një vit e gjysmë luan në shfaqjet për fëmijë, krahas atyre për të rritur, ka çmuar bashkëpunimin me regjisoren Melihate Qena.

“Kam shumë respekt për të sepse është shumë e veçantë në punën e saj, ka qejf të kërkoj shumë nga aktorët, prej teatrit dhe ajo njihet edhe si një ndër themelueset e këtij teatri dhe ndihem i nderuar që kam punuar me të në këtë shfaqje”.

Zëvendësuesi i drejtorit të “Dodonës”, Valdet Rama, tha se pas periudhës pandemike, teatri është kthyer në normalitetin e tij.

“Në fakt, në njëfarë mënyre po më duket që ia kemi arritur me ruajtur shpirtin punues. Jemi duke punuar. I kemi kthyer në nivele normale. Tani është duke u zhvilluar një ritëm normal i të shtunave me shfaqje të orës 12 dhe 13. Shikueshmëria në shfaqjet e fëmijëve është në nivelin e kënaqshëm, ndërkaq te skena e mbrëmjes është pakëz më dobët”.

Teatri i cili ka një përvojë mbi tridhjetëvjeçare tashmë ka krijuar edhe traditën e vet. Shumë prindër të cilët si fëmijë kanë ardhur vetë këtu, mundohet t’i sjellin fëmijët e tyre pothuajse në secilën premierë.

“Po kryesisht vikendeve, zakonisht vijmë vetëm nëse nuk e kemi parë ndonjë, por zakonisht çdo të shtunë vijmë. Mendoj se është shumë e rëndësishme, duke e marrë parasysh që në Prishtinë zakonisht nuk ka shumë aktivitete për fëmijë përveç playgroundëve”, deklaroi Rineta Krasniqi.

Në bashkëpunim me kopshtet, këtë javë “Zjarri” do të ketë edhe dy repriza të tjera.

Artikuj të ngjashëm