Në rrethana normale, kjo sallë do të ishte e mbushur plot, e koristët do të bëheshin gati për të marrë rrugën për në Belgjikë. Por, kori “Siparantum” duke iu përshtatur kushteve të pandemisë, ka vendosur që provat t’i mbajë me grupe të vogla e performancën ta dërgojë virtualisht në “Festivalin Evropian për të rinj”.
Kori nga Peja ka arritur që të jetë pjesë e këtij festivali me traditë prej shtatë dekadash, e që këtë vit bashkon virtualisht 100 kore nga 35 vende të botës.
“Kriter ka qenë që të dërgomë disa video-materiale, ne ju kemi përmbajtur rregullave të festivalit dhe kemi marrë konfirmimin që jemi pranuar si kor”, ka treguar Kelmendi.
Kompozitori dhe udhëheqësi i korit, Memli Kelmendi, do të përfaqësohet me veprën e tij “Një lule”. Ani pse nuk ka pasur ndonjë kriter për kompozimin e veprës, Kelmendi kishte insistuar që vepra të ketë motive shqiptare.
“Meqë unë vij prej Kosovës e kam parë të rëndësishme të përfshij brenda veprës motive shqiptare dhe ritme tona andaj kam vendosur që edhe teksti të jetë në shqip, duke u bazuar në thënien “Me një lule nuk çelë pranvera”, ka treguar ai.
ka zbuluar se vepra që përmban motive shqiptare, përveçse nga kori pejan, do të interpretohet edhe nga koret e tri shteteve të tjera.
“E përmend për herë të parë se vepra do të luhet edhe nga koret e tri shteteve të tjera. Ajo do të luhet nga një kor që është nga Helsinki i Finlandës, një kor nga Spanja dhe një kor tjetër nga Spanja e Italisë”, ka zbuluar kompozitori Memli Kelmendi.
Anëtarët e korit “Siparantum” i ka gëzuar pjesëmarrja në këtë eveniment të madh koral dhe rikthimi në prova. Po ashtu, shprehen të lumtur që atje do të dërgojnë vepra të kompozitorëve shqiptarë.
“Është një privilegj që kemi me prezantuar Kosovën nga kompozitori dhe dirigjenti i korit tonë Memli Kelmendi. Është një emocion i vecantë për neve dhe do të mundohemi që ta përfaqësojmë Kosovën në mënyrën sa më të dinjitetshme”, ka thënë anëtari i korit “Siparantum” Rigon Begolli.
Qëkur kishte marrë veprën për herë të parë në duar, ajo i kishte dhënë emocion të veçantë edhe anëtares tjetër të korit “Siprantum”, Miranda Abdullahu. Ndërsa ndihet akoma më e gëzuar që sot gjatë provave ka takuar kolegët e saj dhe zërat e tyre po mund të bashkohen brenda një hapësire të vetme.
“Jashtëzakonisht shumë mirë po ndihemi sepse kemi qenë të izoluar për një kohë dhe nuk kemi pasur mundësi të përgatitemi ashtu siç e kërkon profesioni ynë që të jemi pranë fizikisht. Lajmi për të qenë pjesë e festivalit na ka gëzuar shumë, sepse jemi kthyer në ritmin e mëhershëm”, ka thënë Abdullahu.
Performanca do të transmetohet virtualisht më 1 maj, në faqen zyrtare të Festivalit Evropian për të Rinj. Organizatorët, nëpërmjet një mesazhi, e kanë mirëpritur pjesëmarrjen e Kosovës në këtë festival.
“Ne duam ta promovojmë muzikën e Ballkanit, veçmas muzikën korale të Ballkanit. Memli Kelmendi ka kompozuar për ne këngën ‘Një lule’ dhe ne jemi shumë të lumtur që e kemi kompozitorin Kelmendi pjesë të work-shopit dhe kemi të përfshirë muzikë korale nga Kosova. Ne do të donim të kishim edhe pjesëmarrës të tjerë të muzikës korale nga vendi i juaj në edicionin e ardhshëm”, ka thënë Arnout van Baelen nga “Festivali Evropian për të Rinj”.
“Siparantum” është themeluar katër vjet më parë në bazë të një trashëgimie artistike të këndimit koral në Pejë. Ky kor ka një tjetër qëllim të rëndësishëm – ta promovojë Kosovën në rajonin e Ballkanit dhe në mbarë botën.