“Shadows” është një tjetër emër i jetës kulturore në kryeqytet. Koncepti i veçantë i Festivalit vjen me fokus në artin bashkëkohor. Të shtunën, kur ka shënuar koncertin e dytë të edicionit të parë, krahas me veprat audiovizuale bashkëkohore, arti i këtij lloji ka kulmuar.
Me muzikë ka shëtitur publikun që nga ekspresionizmi e deri më sot, derisa me piktura e instalacione audiovizuale e ka futur atë në një botë të panjohur që zbërthen konceptin e hijeve. Pikërisht prej veprave artistike “Shadows”, të cilat përcjellin gjendjen shpirtërore të njeriut, është emërtuar Festivali.
Të shtunën, sopranoja Arta Jashari, flautistet Jeta Gërqari e Zana Abazi, si dhe pianisti Andi Duraku e kanë mbërthyer Galerinë e Fakultetit të Arteve me vepra botërore bashkëkohore.
Gërqari ka thënë se krejt veprat që i kanë luajtur kanë qenë kontemporane dhe se është mënyrë e mirë që ky stil i muzikës të përhapet sa më shumë te muzikantët. Për interpretimin me dy flaute ka thënë se është paksa e vështirë për shkak të kombinimit me tjetrin instrumentist.
“Në momentin që ushtrojmë bashkë në prova, atëherë është edhe kënaqësi pasi që është një nivel tjetër i interpretimit. Kur dy instrumentistë interpretojnë bashkë, qëllimi është të tingëllojnë si një. Në muzikën kontemporane është më vështirë sepse nuk është gjithçka brenda kornizave, siç jemi mësuar në stilet e tjera. Mirëpo është kënaqësi e veçantë dhe zgjon një shpirt kreativiteti”.
Drejtoresha ekzekutive e “Shadows”, Adea Badivuku, ka thënë se Festivali është i veçantë sa i përket formatit të tij.
“I gjithë koncepti dhe mënyra se si është kuruar programi i Festivalit përfshin vepra të repertorit kontemporan. Ky festival ka qenë gërshetim i disa disiplinave të artit. Të artit pamor, kemi instalimin audiovizual dhe koncertet instrumentale. Kam pasur dëshirë të realizoj dhe të vij nga Amerika me një projekt më inovativ ku gërshetohen disa disiplina arti”.
Në hapësirën ku është mbajtur koncerti kanë qenë edhe tri pikturat e ciklit të veprave “Shadows”. Autori i veprave, piktori e pianisti turk Gunes Çaglarcan, ka thënë se veprat përcjellin ndjenjat e thella të njerëzve të cilat karakterizohen prej hijeve të errëta.
“Kur shikoni sipërfaqësisht pikturat, vëreni shumë ngjyra te njerëzit dhe hijet e tyre. Arsyeja pse kam krijuar një koleksion të tillë ishte të prezantoja jetën e njerëzve dhe lidhjet e tyre në shoqëri, duke përfshirë sjelljet dhe ndjenjat e tyre. Kur shikoni këto figura njerëzish, në rend të parë jam mundur të tregoj histori unike në secilën pikturë”.
Versioni audiovizual i pikturave vjen nga vëllai i tij, artisti multidisiplinor Deniz Çaglarcan, që është edhe drejtor artistik i festivalit “Shadows”. Pamje e zëra zogjsh, valë deti e pamje njerëzish në formatin bardhezi vijnë bashkë me hijet e tyre, dhe jo vetëm.
“Disa nga elementet ndiej se janë nga i njëjti univers, kështu që vendosëm t’i bëjmë veprat bashkë. Si kompozitor kam filluar të komponoj efekte muzikore e vizuale në tentativë për t’i dhënë rrëfimit gjuhën formale. Kur shihni pikturat nga afër në detaje, shihni njerëzit që ngërthejnë historitë e vogla ndërmjet tyre”.
Festivali në edicionin e parë të tij ka përfshirë edhe punëtori dhe tri koncerte, njëri prej të cilëve sonte e mbyll edicionin e parë të festivalit të artit bashkëkohor “Shadows”.