EXPRESS

Ringjallet monumenti i zhdukur i komunizmit

Për rreth katër dekada, vepra “Barazi, punë, dije” do t’i jepte kuptim të veçantë njërës prej hapësirave të qytetit të Mitrovicës. Do të linte jo pak gjurmë e do të kthehej në simbol ikonë për qytetarët, siç do të bëhej edhe pikë referente edhe në kohë demokracie. Deri në vitin 2010, kur u hoq befas dhe u zhduk prej aty.

Gjurmët e saj nuk dihen sot e kësaj dite. Por vepra tashmë është rikthyer si kopje.

Të dielën, në po të njëjtin vend ku kishte qenë vepra origjinale, artisti mitrovicas Alban Muja ia ka siguruar vendin e përhershëm. Ka lidhur katër dekada në një vijë me gjendjen e shoqërisë që nuk dallon fort, e me mesazhin e veprës që aktualizohet edhe sot, pavarësisht se vepra i takonte kohës së komunizmit, i cili ka kohë që ka perënduar.

Jo rrallë ka ngjarë që “Autostrada Biennale”, ndonëse me temën “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”, në fakt t’i rikthejë ato.

“Monumenti në lëvizje - kthimi prapa, 2021-23”, është titulli që Alban Muja ia ka vënë veprës së tij. Ashtu sikurse origjinali dikur, dy burra dhe një grua mbajmë një vegël pune, një pëllumb dhe një libër si simbole të “Barazisë, punës, dijes”.

Artisti i lindur në Mitrovicë dhe që jeton midis Berlinit dhe Prishtinës ka vlerësuar se vepra është me temë e koncept të njëjtë me origjinalen.

“Ka temë dhe koncept aktual edhe sot. Madje nëse e krahasojmë është edhe më aktuale për qytetarët e Mitrovicës: ‘Barazia’ mes gjinive ku ne e dimë se duhet të punohet shumë në këtë drejtim, ‘puna’, ku ne e dimë se mungesa e madhe e gjetjes së punës dhe ‘dija’ apo ‘edukimi’ për t’i larguar të rinjtë nga gjëra të tjera dhe të fokusohet vetëm te dija”.

Arsyeja e zhdukjes së monumentit “Barazi, punë dhe dije” dhe statusi i tij mbeten të paqarta.

Njëri prej organizatorëve të ”Autostrada Bienale”, Leutrim Fishekçiu rikthimin e veprës e ka vlerësuar si kontribut për vendin dhe si mesazh jashtëzakonisht të fuqishëm jo veç për të kaluarën, por edhe të tashmen e të ardhmen.

“Me Vatrën dhe Bareshin gjithmonë kemi menduar se duhet të kontribuojmë për vendin tonë, qytetin tonë për të pasur vepra arti që do të jenë më afatgjate. Jashtë Bienales, që ndodh çdo dy vjet dhe zgjat dy muaj, jemi shumë të lumtur që kemi arritur të sjellim një vepër jashtëzakonisht të çmuar dhe të nevojshme, në kohën e duhur”.

Kuratorja turke Övül Durmuşoğlu është shprehur krenare, pasi, sipas saj, nëpërmjet veprës shohin se puna e tyre si kuratore ka të bëjë edhe me të ndërtuarit e infrastrukturës dhe të lënit diçka për komunitetet me të cilat punojnë.

“Ne e quajmë ekspozitën tonë ‘Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë’, por këtu po e rikthejmë imazhin në vendin origjinal. Do të doja të thosha se kjo rishfaqje e imazhit më në fund do të drejtojë mesazhin e saj. Kosova ka këta njerëz që hulumtojnë gjatë dhe që sjellin e kthejnë më shumë gjëra te komuniteti. Kjo është pjesa kur bëhet edhe më kuptimplote”.

Kuratorja tjetër e këtij edicioni të “Autostrada Biennale”, polakja Joanna Warsza ka thënë se qëllimi i tyre është që gjithashtu ta kundërshtojnë në një formë temën e edicionit të katërt.

“Disa prej monumenteve janë mbivlerësuar, për arsye të mira dhe disa të tjera zhduken dhe disi lënë njëfarë afirmimi se ato do të zhduken në rrethana të ndryshme. Fakti se juve u intereson tash e sa vjet zhdukja e kësaj vepre, tërheq vëmendje. Qëllimi ishte se si këtë gjë të padukshme ta bëjmë të duket prapë. Ky monument ishte shfaqur në një shkallë më të vogël në Prizren, kështu që për disa njerëz nga Mitrovica ishte histori interesante se çfarë ndodh me një shfaqje të pjesshme aty”.

Ka qenë viti 2021, kur kopja e monumentit të Mitrovicës do të realizohej për edicionin e atij viti të “Autostrada Bienales” dhe u ekspozua në qendër të Prizrenit. Tash, dy vjet më vonë erdhi në vendin e vet, në Sheshin e Mitrovicës.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka thënë se me projekte të tilla, Mitrovica po bëhet qendër e kulturës. Sipas tij, kthimi i veprës në Mitrovicë ishte i domosdoshëm.

“Ky monument historik, me përmbajtje tejet të rëndësishme që i ka rezistuar kohës ishte jo i nevojshëm, por i domosdoshëm të kthehet. Kjo u realizua në mënyrën më të mirë. E ftuam Albanin, ‘fajtori’, i cili në shenjë revolte ndaj rrënimit, largimit tashmë, e kishte krijuar veprën me dimensione më të vogla dhe e kishte quajtur ‘Monumenti në lëvizje’ “.

Vepra e artistit Alban Muja, këtë edicion synon të mos i përgjigjet temës “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë” të “Autostrada Biennales”. E rikthen monumentin për të mos u zhdukur më.