Pas “Arrëthyesit” klasik, Baleti Kombëtar i Kosovës u është kthyer shfaqjeve bashkëkohore. “Rebounds: A BasketBallet” ka qenë përtej baletit. Lëvizjet e trupës, skena e kostumet çojnë në palestrën e një loje imagjinare. Koreografia e Friederike Lampert dhe Jochen Roller nga Gjermania ka një lojë që bashkon baletin dhe basketbollin.
Trupës i është dashur të improvizojë kësaj here në stil të shfaqjes e në hapësirë. Shfaqja është përshtatur për kushtet e Ateliesë së Pallatit të Rinisë. Tashmë ajo është adresa për shumë institucione shtetërore kulturore.
Tingujt e saksofonit, të interpretuar nga kompozitori e saksofonisti amerikano-zviceran Ohad Talmor, i kanë paraprirë shfaqjes së trupës së baletit. Kur balerinët nisen për në podium, ai bëhet vend i konfrontimeve e lojërave. Disa bëjnë me dije se janë lojtarë e të tjerët në pozita udhëheqëse e drejtuese. Vendosin rregulla. Disa japin udhëzime e disa e ndërpresin lojën.
Në disa raste loja e balerinëve bëhet tamam lojë basketbolli. Mbulimi i kundërshtarëve, driblimi me top derisa shoqëron me tingujt e përplasjeve të tij përtokë, i shton efekt përjetimit të një loje basketbolli. Struktura e koreografisë përfshin edhe baletin klasik. Koreografët i kanë bërë të dyja bashkë, duke krijuar atë që e kanë konsideruar si “basketbalet”.
Koreografja gjermane Friederike Lampert ka thënë se kanë përmbledhur lëvizjet më të popullarizuara të lojës për ta bërë koreografinë më atraktive.
“Jemi munduar të kombinojmë koreografinë në kuptimin e popullaritetit të lëvizjeve. Është një paralele ndërmjet kërcimeve në një lojë basketbolli dhe në balet. Jemi munduar t’i barazojmë ato, t’i bashkojmë dhe të krijojmë diçka të re. Në fakt është një lojë e imagjinuar basketbaleti. I kemi përzier dy fjalë si një fjalë e re”.
Provat për shfaqjen kishin nisur më 9 janar.
Koreografi tjetër i shfaqjes, gjermani Jochen Roller, ka thënë se ajo përcjell skena e prapaskena të një ndeshjeje basketbolli.
“Shfaqja ndjek strukturën e një loje basketbolli. Aty janë çerekët e lojës dhe ndërprerjet ndërmjet tyre. Ka ngjashmërinë e baletit dhe basketbollit. Qëllimi ka qenë t’i shpërfaqim ato”.
Muzika bashkëkohore në përcjellje ka qenë ilustrimi i lojës së interpretuesve. Në skenë balerinët shijojnë muzikën elektronike e aty janë edhe ritmet e muzikës latine. Muzikën e shfaqjes e ka realizuar kompozitori e saksofonisti amerikano-zviceran Ohad Talmor.
“I kam bërë të gjitha bashkë për ta bërë të tingëllojë si një lojë e vërtetë. Pauzat e shkurtra, ato që i ndajnë pjesët, secila ka ndjesi ndryshe. Unë jetoj pranë një palestre basketbolli dhe jam munduar ta rikrijoj këtë pjesë në mënyrën më të mirë”.
Baleti “Rebounds: A BasketBallet” bëhet pasqyrim edhe për kaosin e shoqërisë. Balerinët shpesh bëhen shikues. Aty përfshihen krejt detajet e një ndeshjeje, përfshirë edhe kacafytjet e publikut e pastrimi i dyshemesë. Nga basketbollistë, në pauza pushimi interpretuesit bëhen balerinë me performanca argëtuese.
Balerini Sead Vuniqi ka thënë se shfaqja ka qenë më ndryshe prej të tjerave që kanë mbajtur si ato bashkëkohore e klasike. Ka thënë se me këtë shfaqje publiku ka pasur mundësi të jetë më pranë trupës.
“Procesi ka shkuar shumë bukur. Me koreografin njihemi shumë gjatë pasi është bashkëpunimi i dytë. Kemi një lidhje shumë të mirë me ta. Janë të mirëkuptueshëm, e dinë situatën me të cilën po sfidohemi si institucione kulturore. Gjithçka ka shkuar mirë, jemi munduar të japim më të mirën tonë që shfaqja të shkojë ashtu siç duhet”.
Drejtori i Baletit, Sinan Kajtazi, e ka cilësuar shfaqjen si freski për balerinët, pas angazhimit me “Arrëthyesin” që u dha premierë në fund të muajit dhjetor. Ka thënë se planifikojnë që shfaqjen “Rebounds: A BasketBallet” synojnë ta dërgojnë edhe në skenat jashtë vendit.
“Një shfaqje shumë inovative, me dimension të cilin nuk jemi mësuar të krijojmë të tilla. Të tillë janë koreografët Friederike dhe Jochen me të cilët punojmë për herë të dytë. Shfaqjen e parë e kemi punuar në vitin 2017 dhe ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në Kosovë e në Berlin dhe Hamburg. Ngjashëm është me këtë shfaqje. Pos në Prishtinë kemi plane ta shfaqim në Zyrich dhe në Hamburg”.
Baleti Kombëtar i Kosovës do të shfaqet në skenë edhe përkrah trupës së Operës së Kosovës për inskenimin e “Gocës së Kaçanikut” të Rauf Dhomit, që do të jepet premierë më 23 shkurt.