Kulturë

Baleti Kombëtar e nis vitin në Berlin me “Rebounds: A BasketBallet”

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës i këtij inst

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës i këtij institucioni, Sinan Kajtazi, ka thënë se shfaqja është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku. “Publiku e ka pritur jashtëzakonisht mirë shfaqjen e mbrëmshme dhe përveç nëpër ulëset e teatrit...”, ka thënë Kajtazi

Të shtunën e të dielën mbrëma balerinët interpretuan në skenën e ndërtesës historike “HAU – Hebbel am Ufer” që daton prej vitit 1908. Me shfaqjen që sjell koreografi novatore me përfshirjen e lëvizjeve të basketbollit “Rebounds…” me koreografi të dyshes gjermane Friederike Lampert dhe Jochen Roller, trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka debutuar në skenën e këtij teatri

Fillimviti kur institucionet artistike shtetërore rëndom bëhen gati për një tjetër vit aktivitetesh, Baletin Kombëtar të Kosovës e ka gjetur në skenë qysh në ditët e para. Kapitullin e ri e ka nisur me prezantimin e kapaciteteve e profesionalizmit të tij në zemër të Gjermanisë. Në Berlin, në kuadër të festivalit të performancës “Raven” ka çuar shfaqjen “Rebounds: A BasketBallet” në dy terminë.

Të shtunën e të dielën mbrëma balerinët interpretuan në skenën e ndërtesës historike “HAU – Hebbel am Ufer” që daton prej vitit 1908. Me shfaqjen që sjell koreografi novatore me përfshirjen e lëvizjeve të basketbollit “Rebounds…” me koreografi të dyshes gjermane Friederike Lampert dhe Jochen Roller, trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka debutuar në skenën e këtij teatri.

Drejtori i këtij institucioni, Sinan Kajtazi, ka thënë se shfaqja është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku.

“Publiku e ka pritur jashtëzakonisht mirë shfaqjen e mbrëmshme dhe përveç nëpër ulëset e teatrit, ka pasur publik edhe në këmbë. Përshtypjet kanë qenë jashtëzakonisht mirë. Është një shfaqje që Friederike dhe Jochen e kanë punuar bashkë me Baletin vitin që shkoi. Një shfaqje e cila eksploron mënyra të reja të krijimit të koreografisë”, ka thënë Kajtazi.

Ai ka bërë të ditur se që nga fillimet e shfaqjes, plani ishte që ajo të udhëtonte nëpër Evropë.

“Në këtë rast një prej mënyrave se si është krijuar shfaqja janë lëvizjet e lojës së basketbollit që janë inkorporuar në shfaqje duke krijuar kështu edhe lëvizje të reja koreografike, por edhe formacione të ndryshme koreografike. ‘Rebounds...’ është zgjedhur për paraqitje në Berlin sigurisht për shkak të një plani paraprak që e kemi pasur para se të krijohej kjo shfaqje në shkurt të vitit të kaluar. Është paraparë që shfaqja të udhëtojë në Evropë”, ka shpjeguar Kajtazi të dielën për KOHËN.

Ai ka bërë të ditur se për “Rebounds...” kishte qenë plani të shfaqej edhe në Zvicër, por se, siç ka treguar Kajtazi, “për shkaqe teknike nuk është realizuar”. Ai shpreson që këtë vit të jepet shfaqja edhe në këtë shtet.

Koreografia e Friederike Lampert dhe Jochen Roller nga Gjermania është një lojë që bashkon baletin dhe basketbollin. Shfaqja përcjell skena e prapaskena të një ndeshjeje basketbolli. Me të Baleti kishte nisur programin vjet.

Premierën e kishte në muajin shkurt në Atelienë e Pallatit të Rinisë në një skenë krejtësisht të improvizuar. U dha si një lloj shfaqje kamertale ku publiku rrethonte balerinët duke krijuar “tribunat” në palestër sportive. Kjo sigurisht edhe si rrjedhojë e mungesës së kushteve. Për të evituar daljen e balerinëve nga skena, madje ata bëheshin spektatorë të shfaqjes së tyre.

Shfaqja e “Rebounds…” në Berlin nuk ngjan kështu. Të paktën nga incizimet e publikuara shihet se skena u përket krejtësisht balerinëve. Është skena e denjë për ta. Shfaqja u dha në kuadër të “Raven” që përshkruhet si “simpozium, mbledhje e shfaqje për performancë maksimale dhe për të shtruar pyetjen se çfarë ndodh kur asgjë tjetër nuk funksionon”. Kjo pasi është nismë që nga koha e izolimit si rrjedhojë e pandemisë Covid-19.

Me këtë rast, Baleti Kombëtar i Kosovës me shfaqjen origjinale “Rebounds: A BasketBallet” ka zbarkuar në sallën kryesore të teatrit “HAU – Hebbel am Ufer” , ndërtesë e cila mbrohet si aset i trashëgimisë botërore. Skena në të cilën BKK ka performuar ka kapacitet prej rreth 550 ulësesh ku auditori ka dy nivele.

Në të dhënat për teatrin bëhet e ditur se arkitekti i teatrit, Oskar Kaufmann, kishte synuar ndarje strikte të skenës dhe auditorit. “Me formatin thuajse katror prej 12 metrash lartësi sa edhe gjerësinë e hapjes, paraqitja në skenë shfaqet si një tablo me kornizë, duke e ndarë kështu plotësisht veprimin dramatik nga pjesa e publikut”, shkruhet për skenën e teatrit.

Sipas përshkrimit të “Rebounds: A BasketBallet”, ajo cilësohet si lojë basketbolli, “që bashkon baletin klasik dhe basketbollin”.

“Eksploron kërcimin dhe cilësinë muzikore të një loje basketbolli duke parë modelet e dyshemesë, konstelacionet e lojtarëve, ritmet e topit, strukturat e lojës dhe ndërveprimin e rendit dhe kaosit. Pjesa është një lojë imagjinare e cila ka rregullat e veta: një shpërthim furie, hiri, ngatërrese dhe shpirti ekipor”, shkruhet në përmbledhjen e shkurtër shpjeguese për shfaqjen “Rebounds: A BasketBallet” me koreografi të dyshes Lampert dhe Roller.

Dy koreografët kishin punuar me Baletin Kombëtar të Kosovës në një tjetër shfaqje. Shfaqja bashkëkohore “NewBorn” ishte dhënë premierë më 21 dhjetor të vitit 2017 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Monumenti i pavarësisë “NEWBORN”, i cili këtë 17 shkurt feston 17 vjet, ishte bërë inspirim për koreografin Jochen Roller nga Gjermania që të konceptonte një shfaqje me balerinët e Kosovës. Me të Baleti pati në fundprillin e 2018-s pati tri shfaqje radhazi në Berlin më datat 20, 21 dhe 22 e tri të tjera në Hamburg më 26, 27 e 28 prill.

Por në kryeqytetin gjerman është kthyer për të shfaqur art pas afër shtatë vjetësh.

“Në këtë teatër është hera e parë që peformojmë në Berlin. Në këtë qytet, Baleti Kombëtar i Kosovës ka performuar në vitin 2018, përkatësisht në muajin prill të atij viti, në teatrin ‘Sophiensaele’ ku i kemi pasur katër shfaqje radhazi. Ka qenë i njëjti koreograf me të cilët i kemi përgatitur edhe shfaqjen ‘Rebounds: A basketballet’ me të cilin jemi në Berlin momentalisht”, ka thënë Kajtazi.

Baleti Kombëtar i Kosovës vazhdon që të jetë “refugjat” prej mbylljes për restaurim të ndërtesës së Tetarit Kombëtar të Kosovës në korrik të vitit 2022. Provat mbahen në ambientet e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve, “Shota” ndërsa shfaqjet jepen në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve e shpesh edhe në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq. Kjo gjendje ka bërë që BKK-ja të jetë më shumë e orientuar te baleti modern, stil ky më i përshtatshëm për një institucion që s’ka ku të ushtrojë veprimtarinë. Në këtë gjendje BKK-ja do të vazhdojë punën pa ndonjë afat se kur do të ketë ambient të vetin të punës. 

Folegj: