140 vjet i vjetër dhe i përcjellë në mbi 5 gjenerata, tash ky qilim
Kosove, siç njihet në literaturë, u është shtuar eksponateve të Muzeut Etnologjik.
Ngjyrat kuqezi, të cilat e dominojnë, nuk e lënë nën hije kromatikën e pasur të ngjyrave të tjera dhe kompozicionin e motiveve.
E veçanta tjetër, tregon Bekim Xhemili, qëndron në faktin se është një pjesë e punuar në veg vertikal.
Gatishmëria e Zamire Kadës për t’ia dhuruar qilimin Muzeut Etnologjik e ka befasuar stafin.
Qilimi është punuar në Plavë në shekullin e nëntëmbëdhjetë.
Duke e marrë parasysh se qilimi ka gati një shekull e gjysmë prej kur u punua, gjendja e tij është e mirë.
Kjo, sepse është përdorur shumë pak dhe familja Kada është kujdesur për të.
Nuk janë të rralla kontributet e tilla që i bëhen Muzeut. Edhe vetë punëtorët kalojnë kohë në terren për të gjetur eksponate të tilla. Pas pranimit të eksponateve të reja, ato kalojnë nëpër faza të trajtimit për t’u konservuar pastaj. Trajtimi dallon nga materialet e eksponateve, ku këto të tekstilit kërkojnë më shumë kujdes.
Thuajse çdo muaj Muzeu Etnologjik pranon eksponate, me mbi 1000 prej të cilave pritet të hapet një ekspozitë e përhershme.