Kulturë

Qilimi 140 vjet i vjetër pasuron koleksionin e Muzeut Etnologjik

Fondi i Muzeut Etnologjik është pasuruar me një qilim Kosove. Gati një shekull e gjysmë i vjetër, qilimi i punuar në Plavë do të vazhdojë të ruhet si pjesë e trashëgimisë kulturore. Ngjyrat kuqezi, të cilat e dominojnë, nuk e lënë nën hije kromatikën e pasur të ngjyrave të tjera dhe kompozicionin e motiveve të eksponatit

Është 140 vjet i vjetër dhe i përcjellë në mbi 5 gjenerata. Tash ky qilim Kosove, siç njihet në literaturë shkaku i mënyrës së punimit , u është shtuar eksponateve të Muzeut Etnologjik të Kosovës.

Ngjyrat kuqezi, të cilat e dominojnë, nuk e lënë nën hije kromatikën e pasur të ngjyrave të tjera dhe kompozicionin e motiveve.

E kaltra, portokalli, e gjelbra e edhe ajo hiri mbushin motivet gjeometrike për t’i dhënë qilimit një pamje të veçantë.

Punimi 3 metra e 60 centimetra i gjatë dhe 2 metra e 80 centimetra i gjerë është i punuar i tëri në një pjesë, ne veg vertikal, i cili, sipas rrëfimeve, vendosej në mur.

I kaloi 140 vjet pa pësuar ndonjë dëmtim shumë të madh, pasi nga gjenerata në gjeneratë u trashëgua edhe si pjesë e pajës së nuses.

Qilimi nga Plava do të vinte në Pejë, kur gjyshja e Zamire Kadës u martua. E në vitin 1963 familja Kada u shpërngul nga Peja duke e marrë më vete qilimin e vjetër.

Këtë histori të eksponatit e ka shpjeguar etnologu Bekim Xhemili. Punonjësi i Muzeut Etnologjik ka mbledhur informata për eksponatin nga familja Kada.

Gatishmëria e Zamire Kadës për t’ia dhuruar qilimin Muzeut Etnologjik e ka befasuar stafin.

“Fondi i Muzeut është pasuruar me një eksponat shumë të rrallë dhe të veçantë. Bëhet fjalë për qilimin që është 140 vjet i vjetër. Një qytetare e Prishtinës, zonja Zamire Kada, ia ka dhuruar Muzeut këtë qilim. Veçantia tjetër përveç vjetërsisë së qilimit qëndron edhe te fakti se është punuar prej një pjese, do të thotë prej vegut vertikal. Po ashtu, edhe madhësia, 3 metra e 60 centimetra është gjatësia dhe 2 metra e 80 centimetra është gjerësia e qilimit. Përndryshe në etnokulturën shqiptare njihet edhe si qilim Kosove për shkak të motiveve që i ka”, ka thënë Xhemili.

Qilimi është punuar në Plavë në shekullin e nëntëmbëdhjetë.

Duke e marrë parasysh se ka gati një shekull e gjysmë prej kur u punua, gjendja e tij është e mirë.

Kjo, sepse është përdorur shumë pak dhe familja Kada është kujdesur për të.

“Qilimi është punuar në Plavë të Malit të Zi në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe i ka takuar stërgjyshes së zonjës Zamire. Qilimi është trashëguar ndër gjenerata edhe si pjesë përbërëse e pajës së nuses”, ka sqaruar ai.

Nuk janë të rralla kontributet e tilla që i bëhen Muzeut Etnologjik. Edhe vetë punëtorët kalojnë kohë në terren për të gjetur eksponate të tilla.

Sipas Ilir Sopjanit, etnolog dhe ciceron në Muzeun Etnologjik, qytetarët krejt vonë kanë filluar të vetëdijesohen për rëndësinë e gjërave të tilla të vjetra.

Shpesh gjatë punës në terren, sipas Sopanit, qytetarët kanë pranuar se kanë hedhur në bërllok qilima e gjëra të tjera me arsyetimin se kanë qenë të vjetra, duke mos qenë në dijeni për rëndësinë që kanë.

“Prej vitit 2006, kur kemi hapur Muzeun Etnologjik, unë me kolegët i kemi marrë një pjesë të eksponateve nga Muzeu i Kosovës, të cilat kanë qenë të ekspozuara, disa të tjera nga depoja edhe e kemi instaluar ekspozitën e përhershme në atë kohë në dy objektet”, ka treguar Sopjani. Sipas tij, mbledhja e këtyre eksponateve po vazhdon prej asaj kohe deri tash.

“Më tepër kemi qenë të koncentruar nga periudha e vitit 2019, në 2020-n ku na gjen edhe periudha e pandemisë, por ne nuk jemi ndalur. Kemi dalë edhe në terren, kemi mbledhur eksponate nga materiali i drurit e tekstilit deri te materiali i dheut dhe metaleve”, ka vazhduar ai.

Pas pranimit të eksponateve të reja, ato kalojnë nëpër faza të trajtimit për t’u konservuar pastaj.

Trajtimi dallon nga materialet e eksponateve, ku ato të tekstilit kërkojnë më shumë kujdes, marrë parasysh se më lehtë ekspozohen ndaj faktorëve të cilët mund t’i dëmtojnë.

Çdo 5 muaj, ka treguar Sopjani, rishikohen dhe vlerësohet gjendja e tyre.

“Te pjesa e materialit të drurit, të metalit dhe të poçarisë, është një proces kisha për të thënë më i lehtë për dallim nga materiali i tekstilit. Ngase tekstili ekspozohet shumë më tepër ndaj brejtësve, insekteve dhe gjërave të tjera. Në rastin e pranimit të një eksponati, si ky qilimi dhe pjesa e tekstileve, fillimisht bëhet pastrimi i tyre dhe pastaj edhe konservimi”, ka përfunduar ai. Thuajse çdo muaj Muzeu Etnologjik pranon eksponate, me mbi 1000 prej të cilave pritet të hapet një ekspozitë e përhershme.