EXPRESS

“PriVocal Fest” hapet me perla lirike si jehonë e përjetshme

Me zërin magjepsës, sopranoja Adelina Paloja, ka sjellë repertorin lirik botëror e atë vendor në koncertin recital në Prishtinë. Kultura të ndryshme të vendeve që kanë kultivuar historikisht muzikën klasike janë në programin e koncertit “Eternal echoes” bashkë me pianisten Lirika Pula-Kasapolli dhe kuartetin harkor “Amati”. Me këtë koncert është hapur edicioni i shtatë i festivalit ndërkombëtar të vokalit në Prishtinë – “PriVocal Fest”.

Në këtë skenë, sopranoja Adelina Paloja në përcjellje me piano nga Lirika Pula-Kasapolli e kanë nisur koncertin me pjesët “Polyubila ya na pechal svoyu” dhe “Zdes khorosho” të kompozitorit rus, Sergei Rachmaninoff. Kanë qenë melankolike e delikate e njashtu janë edhe meloditë që i sjell Pula-Kasapolli. Interpretimi i sopranos në skenë sjell ngjyrat operistike me lojë aktoreske në skenë. Ajo ka interpretuar edhe “Chi il bel sogno di Doretta” nga opera “La Rondine” e Giacomo Puccinit.

Paloja e ka konsideruar goxha sfidues këtë program, me të cilin është shprehur e nderuar t’i rikthehet publikut në Prishtinë.

“Jam e nderuar, jashtëzakonisht e lumtur dhe me emocione që po i rikthehem publikut tim të dashur dhe këtë me një koncert recital. Kam pasur vepra të ndryshme dhe mund ta them se disa nga to kanë qenë me kërkesat më impenjative dhe pa modesti do ta them se ka qenë një program goxha impenjativ. Ka pasur Rachmaninoff, Dvorak, Puccini e pjesë të tjera”.

Në pjesën e fundit të koncertit, Paloja ka kënduar vepra nga repertori shqiptar. Nën përcjelljen e violonçelit e violinës, ka kënduar “Mall dashurie”  nga Nikolla Zoraqi. Katërshja e harkorëve është bërë bashkë në interpretimin e këngës “Bash Zemani” e Halit Kasapollit, e aranzhuar nga kompozitori e dirigjenti Hajrullah Syla. Krejt formacioni është kompletuar në interpretimin e këngëve “Shqipëri o vendi im” e Avni Mulës dhe “Rrjedh në këngë e ligjërime” e Feim Ibrahimit, të dyja të aranzhuara nga Genc Tukiqi.

Sopranoja Paloja ka thënë se veprat shqiptare janë sjellë si versione të tjera, të aranzhuara në formë më ndryshe. Ka thënë se me to ka dashur të rifreskojë repertorin dhe të zgjerojë horizontet e kësaj krijimtarie.

“Veprave nga krijimtaria shqiptare, së cilës gjithmonë mundohem t’i jap vendin meritor që e ka, por kësaj radhe kam dashur që ato të jenë risi për publikun dhe të tilla kanë qenë. Katër nga ato që i kemi interpretuar në fund kanë qenë dy aranzhime që asnjëherë nuk janë interpretuar në Kosovë, një vepër premierë për soprano ‘Bash Zemani’ e Hajrullah Sylës që në këtë formacion asnjëherë nuk është interpretuar dhe një vepër e Nikolla Zoraqit krejtësisht e padëgjuar”.

Pianistja Lirika Pula-Kasapolli ka thënë se programi është ideuar nga solistja Paloja. E ka konsideruar me shumë ngjyra muzikore.

“Blloku i parë u përket komplet veprave lirike, përfshirë edhe ato në gjuhën sllave si Rachmaninoff dhe Dvorak, të cilat konsistojnë të gjitha në një shoqërim me harmoni shumë të bukura që nga pianoja e me koloraturë që Adelina e ka të përkryer si dhe nota shumë të larta, të cilat zakonisht është shumë e vështirë të realizohen për soprano, por Adelinës i vijnë mjaft natyrshëm. Sa i përket veprës që luajta, unë janë pjesë miniaturë që kryesisht luhen bashkë, ndërsa unë preferova t’i marr dy”.

Në natën hapëse, zërat bashkë me muzikën janë vënë në kontribut të rritjes së ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit. Festivali i është bashkuar kësaj thirrjeje, përderisa edhe edicionin e zhvillon në muajin që i dedikohet ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit.

Sivjet, për herë të parë, festivali ka organizuar masterklasë për këndim me mjeshtrin e vokalit Giménez. Drejtori i festivalit “PriVocal Fest”, Hajrullah Syla, ka bërë të ditur se masterklasi veçse ka nisur. Ka theksuar se kjo është risi e festivalit.

“Kjo është hera e parë që festivali organizon një masterklas, zakonisht kemi pasur garën për kompozitorë dhe këtë vit kemi vendosur të kemi një masterklas. Ajo çfarë është shumë e rëndësishme në këtë edicion është se do të kemi edhe një operë që do të sillet në një formë më ndryshe sesa jemi mësuar ta shohim. Kjo do të jetë risi për këtë edicion dhe të gjitha koncertet e planifikuara për këtë edicion janë të veçanta në formën e vet”.

Derisa ka folur për koncertin “Eternal Echoes”, e ka konsideruar nisje të suksesshme të edicionit të shtatë me radhë.

“Ideja ka qenë edhe e Adelinës që në pjesën e dytë të programit të ketë edhe autorë shqiptarë ku janë disa nga veprat që këndohen tash e sa vite dhe janë të mirëpritura nga publiku. Programi ishte mjaft mirë i realizuar, publiku me duartrokitjet e tyre u pa se ishte shumë i kënaqur me performancën. Kjo ishte nata e parë, po shpresoj se edhe vazhdimi do të jetë ashtu siç jemi përgatitur”.

Nata e dytë e festivalit është “Opera Night” më 16 tetor ku do të luhet opera “Mbreti Lir” në dy akte për solistë, orkestër virtuale kompozuar dhe drejtuar në skenë nga Zoe Hippius. “Young Generation” është koncerti i tretë i këtij edicioni me artistë të rinj, pjesëmarrës të përzgjedhur nga masterklasi i udhëhequr nga maestro argjentinas Raúl Giménez. Ky koncert do të zhvillohet më 18 tetor. Në kuadër të festivalit më 19 tetor mbahet koncerti i katërt. Nën titullin “There is Someone on Earth” vjen zëri i veçantë i mexosopranos franceze Albane Carrère, e shoqëruar nga pianisti Andi Duraku dhe Donjeta Cërmjani në violonçel.

Edicioni i shtatë mbyllet më 20 tetor me koncertin “12 Months”, ku do të interpretojë kori “Pro Ars”, i udhëhequr nga dirigjenti maqedonas Sasho Tatarchevski.